KRENARE NGRIHET MBI BUNËN E GJERË DHE MBI QYTETIN E SHKODRËS .. LEGJENDA E ROZAFËS.

Kështjella e lashtë e Rozafatit. Kur është hedhur guri i parë i në themelet e kësaj kështjelle? S’dihet. Historia e saj humbet në mjegullën e lashtësisë ilire, banorëve të moçëm të kësaj mënge. Një gjë dihet mirë e qartë; atë e kanë pasur dikur labeatët dhe pastaj Ardianët, që ishin fise të forta ilire. Në atë kohë tërë bregu i këtejshëm i Adriatikut, gjer në Tergesten e bujshme apo Triesten e ditëve tona, ishte breg ilir. Më vonë u derdhën këtej romakët pastaj sllavët, normanët, venetikët turqit e shumë popuj të tjerë të huaj. Gjatë shekujve ata krepat e thatë nën muret e Rozafatit, si dhe vetë muret e kështjellës, janë lagur me përrenj gjaku të atyre që e kanë sulmuar dhe atyre që e kanë mbrojtur. Të huajt erdhën dhe shkuan kurse populli ynë mbeti ngulur në këtë tokë ilire.Ndërtimi i Rozafatit ka një gojëdhënë të bukur por dhe të hidhur që ka ardhur nga lashtësia deri në ditët tona. Ja ç’thotë kjo gojëdhënë:

I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tërë. Kjo mjegull mbeti aty tre ditë e tre netë. Pas tri ditësh e tri netësh fryu një erë e hollë dhe e lartoi mjegullën. E lartoi dhe e shpuri gjer në kodrën e Valdanuzit. Aty majë kodrës punonin tre vëllezër. Ndërtonin një kështjellë. Murin që e bënin ditën u prishej natën dhe kështu nuk e lartonin dot.

Na shkon aty një plak i mirë.
– Puna e mbarë, o tre vëllezër.

– Të mbarë paç o plak i mirë. Po ku e sheh ti të mbarën tonë.
Ditën punojmë, natën prishet. A di të na thuash një fjalë të mirë? Ç’të bëjmë që të mbajmë muret në këmbë?
– Unë di – u thotë plaku – po e kam për mëkat t’ua them .
– Atë mëkat hidhe mbi kryet tona, se ne duam që ta qëndrojmë më këmbë këtë kështjellë.
Plaku i mirë mendohet e pyet:
– A jeni të martuar o trima ? A i keni ju të tre vashat tuaja?
– Të martuar jemi – i thonë ata – edhe të tre i kemi vashat tona.
Na thuaj pra ç’të bëjmë që ta qëndrojmë këtë kështjellë ?
– Në doni ta qëndroni, lidhuni me besa besë: vashave mos u rrëfeni, në shtëpi mos kuvendoni për fjalët që do t’u them unë. Atë nga të tri kunatat që do të vijë nesër t’ju sjellë bukën, t’a merrni e t’a muroni të gjallë në mur të kështjellës. Atëherë keni për ta parë se muri do t’u zërë vend e do t’u qëndrojë për jetë e mot.
Tha kështu plaku, pastaj shkoi; tani u pa, pastaj s’u pa.
Vaj !
Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën: ia tregoi të gjitha vashës së vet kështu e kështu, i tha të mos
vinte atje të nesërmen. Edhe i mesmi e shkeli besën e fjalën: ia tregoi të gjitha vashës së vet. Vetëm i vogli e mbajti besën, fjalën: nuk kuvendoi në shtëpi, nuk i tha gjë vashës së vet.

Në mëngjes ata të tre ngrihen shpejt e shkojnë në punë. Çekanët godasin, gurët coptohen, zemrat rrahin, muret lartohen…
Në shtëpi nëna e djemve s’di gjë. I thotë së madhes:
– Moj nuse e madhe, mjeshtrit duan bukë e ujë; duan kungullin me verë.
Nusja e madhe ia kthen:
– Besa nënë, sot s’mund të shkoj se jam sëmurë.
Kthehet i thotë së mesmes:
– Moj nuse e mesme, mjeshtrit duan bukë e ujë: duan kungullin me verë.
– Besa nënë, sot s’vete, se do shkoj tek fisi për të bujtur.
– Nëna e djemve i kthehet nuses së vogël.
– Moj nuse e vogël…
Nusja e vogël brof në këmbë:
– Urdhëro zonja nënë !
– Mjeshtërit duan bukë e ujë; duan kungullin me verë.
– Besa nënë unë shkoj , po e kam djalin të vogël. Druhem se do gji të pijë e qan.
– Nisu, shko se djalin ta shikojmë ne e s’ta lëmë të qajë, – i thonë të kunatat.
Ngrihet e vogla, e mira, merr bukë e ujë, merr kungullin me verë, puth djalin e vogël në të dy faqet,
niset e bie në Kazenë; që aty ngjit kodrën e Vladanuzit, i afrohet vendit tek punojnë të tre mjeshtrit: dy të kunetërit dhe i shoqi.
– Puna mbarë, o mjeshtër!
Po ç’është kështu? Çekanët ndalen e s’godasin, po zemrat rrahin fort e fort. Fytyrat zbehen. Kur e sheh i vogli të shoqen, hedh çekanin nga dora, malkon gurin e murin.
E shoqja i thotë:
– Ç’ke ti im zot ? Pse mallkon gurin e murin ?
Hidhet kunati i madh:
– Ti paske lindur në ditë të zezë, moj kunata jonë. Ne e kemi bërë me fjalë të t’murojmë të gjallë në mur të kështjellës.
– Shëndoshë ju o tim kunetër. Po unë do t’ju lë një porosi: kur të më muroni në mur, synë e djathë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, gjirin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël. Kur të nisë të qajë – me njërin sy do ta shikoj , me njërën dorë do ta ledhatoj, me njërën këmbë do t’i tund djepin e njërin gji do t’ia jap të pijë. Gjiri im u muroftë, kështjella qëndroftë, djali im u trimëroftë, u bëft mbret e mbretëroftë!
Ata e marrin nusen e vogël dhe e murojnë në themel të kështjellës. Dhe muret ngrihen, lartohen nuk shemben më si më parë. Po rreth tyre gurët janë dhe sot të lagur e të myshtë, sepse vazhdojnë të pikojnë lotët e nënës për birin e saj…
Dhe i biri u rrit, luftoi e trimëroi.

“Tregime të moçme shqiptare” Mitrush Kuteli./flasshqip.ca

Author: news

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *