Rregullorja e re/ Sigurimi i makinës s’do të kushtojë më njëlloj për të gjithë! Faktorët që do të ndikojnë në përcaktimin e tarifës

Duke filluar nga viti i ardhshëm, çmimet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve nuk do të jenë të njëjta për të gjithë.

Tarifat e reja do të jenë të diferencuara, bazuar në një listë faktorësh që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme nga drejtuesit e mjeteve.

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka miratuar këtë muaj rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.

Përveç faktorëve të mësipërm, rregullorja parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të zbatojnë edhe faktorë të tjerë risku, të përcaktuara prej tyre.

Këta faktorë risku do të përdoren në përllogaritjen e primit të sigurimit për kategorinë e autoveturave, në produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme), por jo për produktet e sigurimit kufitar dhe të kartonit jeshil.

Shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas metodologjisë së përcaktuar, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.

Rregullorja e re do të hyjë në fuqi në 1 janar 2025.

Author: news

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *