Si lindi shprehja e famshme: “Puthu me Milon”!

Shoqëria “Birra Korça” ishte e njohur për mikpritjen e saj. Ishin të shumtë ata që e vizitonin. Me pritjen e mysafirëve merrej inspektori mekanik i fabrikës, i njohur ndryshe “Milua i birra Korçës”. Ai ishte njeriu që të shëtiste të shihje makineritë dhe ambientet, dhe që të shërbente me birrë të freskët dhe meze.

Nuk kishte njeri të mos e njihte Milon, jo vetëm për shëndetin e tij që ngjasonte me një voze birre, por veçanërisht për mirësinë e pafundme që dhuronte dhe çiltërsinë. Nëse mungonte Milua, fabrika dukej sikur nuk ekzistonte.

Rastësisht, në shtyp gjetëm edhe një përshkrim te shkurtër për Milon, ja çfarë thuhet për të:

“Pas pak udhëhiqemi nga inspektori mekanik i fabrikës. Ky njeri është dhe propaganda më e mirë e kësaj pije. E shikoj nga përpara me atë trupin e tij rrumbullak dhe më vjen për të qeshur.

Mendoj menjëherë se kush e di sa shishe birre ka pirë ky njeri gjer më sot. Por është aq fisnik dhe aq i mirë me të gjithë.

Me gjithë peshën e trupit, përpiqet të kënaqë tërë qejfin tonë, ngjitet në shkallë të larta, futet në bodrumet e ndryshme, ku lagështia dhe e flakta e rrethojnë nga çdo anë. Njeri i qetë, i sigurt, dhe gjithmonë gati për çdo shpjegim që kërkon rasti dhe padijenia jonë mekanike.
Miloja është ai që flet edhe për makineritë dhe si përparon shoqëria.

Edhe artikullshkruesi, gazetari Petrit Avreni, pasi dëgjon shpjegimin e Milos, e sheh veten të frymëzuar:

“Makina vigane që s’i kam menduar kurrë, – shkruan ai, – Kurrë s’më ka shkuar mendja se birra ka aq belara. I jepja gjithmonë një thjeshtësi prodhimit që nuk largonte nga punimi i mullirit të thjeshtë. Sa isha i gënjyer! Një sistem i komplikuar, një numër i madh makinash që të humbasin mendjen.

Nuk di se nga ku filluam, ç’rrugë kaluam që të përfundojmë në makinat e fundit, ku del birra e përsosur.

Gazetari Petrit Avreni pasi vizitoi birra Korçën dhe pas mahnitjes që pësoi, shkruante më tej: “Në trurin tim qarkullojnë kazanë kolosale, depo me lëngje të ftohta, me mijëra sulina që kalojnë nga dhoma në dhomë, nga makina në makinë. Erë, elektrik, uji i ftohtë, uj’ i ngrohtë, dhe nuk di se ç’gjë tjetër. Sa i vogël dukem përpara këtyre makinave kolosale! Dhe njëkohësisht sa i madh duket njeriu kur shikon veprat e tij. (Gazeta “Tomorri”18 korrik 1942, f. 195).

Fabrika e birra Korçës ishte industria e parë më e madhja e qytetit të Korçës, e cila i lartësoi emrin e mirë që kishte Korça.

PUTHU ME MILON
Të gjithë mbeteshin të kënaqur nga mikpritja e Milos, ndaj para se të largoheshin donin ta përqafonin apo ta puthnin, por ku të linte barku i madh i Milos t’i afroheshe; nga kjo doli dhe shprehja: “Puthu me Milon”!

Author: news

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *