Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i kërkuar të fillojë pa vonesë një auditim të plotë në shoqërinë “Albcontrol” mbi:
– mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie;
– respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese;
– përdorimin e fondeve publike;
– respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës, si dhe
– çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurt dhe funksionimin normal të “Albcontrol”.
Presidenti Meta po ndjek nga afër dhe me vëmendje zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës në “Abcontrol” dhe në aeroportin “Nënë Tereza”, dhe i kërkon autoriteteve respektive të marrin të gjitha masat, për të mos vënë në rrezik sigurinë e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, për të rifilluar pa vonesë funksionimin e monitorimit ajror dhe të shërbimeve aeroportuale, duke respektuar të drejtat dhe detyrimet reciproke, pa tejkaluar në mënyrë shproporcionale me reagimin e tyre, përgjegjësitë ligjore mbi këtë rast.
Presidenti i Republikës u bën thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe është i gatshëm në çdo moment të thërrasë urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme.