Me anë të këtij postimi Ministrja Evis Kushi ka falenderuar përzemërsisht Komitetin Teknik të Ekspertëve, për rikthimin e gjimnazistëve në shkolla.
Postimi i plotë:
Faleminderit Komitetit Teknik të Ekspertëve për përgjigjen pozitive ndaj kërkesës sonë mbi rikthimin në bankat e shkollës të gjimnazistëve të klasave të dhjeta dhe të njëmbëdhjeta nga 10 bashkitë e cilësuara deri më tani si zona me risk të lartë infeksioni.
E kemi nisur tashmë punën bashkë me drejtuesit e institucioneve shkollore dhe zyrave vendore arsimore që masat anti-COVID të jenë në nivelin maksimal dhe çdo gjë të jetë gati për rifillimin e mësimit në shkollë që ditën e nesërme.
Duke falënderuar çdo mësues, nxënës e prind për durimin e treguar dhe duke uruar vetëm mbarësi në vijim për gjithsecilin, unë jam optimiste se ky është një hap shumë i mirë drejt rikthimit në normalitetin që të gjithë duam.