“Roli i Rinisë Shqiptare dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm si Mekanizëm Ndërhyrës” ishin kryefjala e konferencës për rininë, e organizuar nga Fondcioni “Qemal Stafa” dhe Fondacioni “Friedrich Ebert”.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi u shpreh se në këtë konferencë shumë të frytshme, u zhvillua një diskutim i hapur nga aktorë të ndryshëm, mbi rininë dhe rolin e saj kyç në zhvillimin e vendit.
Në fjalën e saj, Znj. Kushi u shpreh se objektiv madhor i qeverisë mbetet që kapitalin njerëzor që ka Shqipëria ta orientojë në zhvillimin e vendit, ku një pjesë të madhe të rëndësisë e zënë pa diskutim të rinjtë shqiptarë.
“Plani i Veprimit për Rininë 2015-2020, Ligji ‘për Rininë’ i miratuar në 2019, Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, punësimi i studentëve ekselentë në administratën publike apo edhe nisma më e fundit ‘Gati për Shqipërinë’, janë disa prej iniciativave konkrete të ndërmarra kohët e fundit.” – nënvizoi Znj. Kushi në statusin e saj në rrjetin social.
Ajo gjithashtu, në postimin e saj ka informuar se vetëm para pak ditësh ka filluar edhe puna për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2026 për vizionin dhe zhvillimin e politikave rinore.
Në mbyllje të fjalës së saj, Znj. Kushi theksoi rëndësinë e madhe që ka rikthimi i të rinjve për të dhënë kontributin e tyre në Shqipëri.