Kuvendi miraton dy aktet normative për vaksinat kineze. Nëse nuk miratohen ne Parlament brenda 45 ditëve nga miratimi ne qeveri humbasin fuqinë ligjore.
Deputetët e Komisionit të Shëndetësisë ndërprenë fushatën elektorale dhe u rikthyen në Kuvend për të miratuar aktet normative, të cilat i dhanë dritën jeshile përdorimit të vaksinës kineze në Shqipëri. Para se ligjvënësit te vulosnin aktet, zëvendës ministrja Mira Rakacolli ndau me ta të dhenat e komitetit vlerësues të efektshmërisë së 4 tipeve të vaksinave te cilat janë përdorur në vendin tonë.
Mira Rakacolli: Vaksina e Sinovac, ajo ju është aplikuar shumë njerëzve dhe nuk ka absolutisht asnjë efekt anësor. Në një kohë që nga vaksinat Pfizer rreth 80% e njerëzve kanë pasur dhimbje në vendin e injektimit, një pjesë më e vogël ka pasur temperaturë, një pjesë tjetër ka pasur edhe zhvillim të gjendrave limfatike, kryesisht nën sqetull. 4 raste kanë qenë me edenë të laringut edhe edenë të gjuhës dhe disa raste të cilat kanë pasur reaksione alergjike. Në një kohë që nuk kemi asnjë event madhor që mund të ishte një humbje jete apo një shtrim në spital për shkak të pasojave të të gjitha llojeve që tashmë janë aplikuar, pra AstraZeneca, Pfizer, Sinovac dhe Sputnik.
Aktet normative morën dakordësinë edhe të Komisionit të Ligjeve, ku deputetët përkujtuan përmes një video galerie momentet më të bukura me kolegun e ndjerë Bashkim Fino, i cili humbi jetën për shkak të koronavirusit.