Laura Bilalli, astrologia më e re, tregon ç’do të ndodhë pas marsit dhe pse duhet ta besojmë

Nga Ani Jaupaj
Kureshtja lind me njeriun. Mund ta zhvillosh më shumë, por të kundërtën nuk e bën dot. Laura kishte interes për gjithçka, që fëmijë, por sa më tepër rritej, aq më shumë lokalizohej interesi i saj për Universin. Yjet u bënë fusha e saj e studimit dhe ja ku është sot, një astrologe e diplomuar në Amerikë. Laura tregon për Living gjithë rrugën që duhet të ndjekë një astrolog për të qenë i besueshëm dhe çfarë do të ndodhë me të gjithë ne pas muajit mars.

Laura çfarë prirjesh duhet të kesh për t’u marrë me astrologji?

Duhet të kesh së pari shumë interes për astrologjinë, energjinë dhe gjërat pozitive. Njëkohësisht duhet të jesh njeri shumë këmbëngulës dhe i duruar, por edhe kureshtar. Duhet të lexosh shumë dhe të interesohesh në çdo detaj që ka të bëjë me universin dhe energjinë.

Si e ke kuptuar prirje tek vetja për ta zhvilluar me pas?

E kam kuptuar që përpara 12 viteve . Që asokohe më interesonin gjërat që kishin të bënin me universin dhe energjinë. Shkenca e astrologjisë është një horizont i pafund ku çdo ditë ti mëson diçka të re dhe mund ta praktikosh në realitet.

Për çfarë keni studiuar?
Kam mbaruar shkollën e lartë për “Media dhe komunikim” në Kosovë dhe më pas kam studiuar Astrologji në Los Angeles. Për t’u bërë astrologe së pari studiohet pjesa e universit, galaksisë, planetet, fazat e hënës, pastaj studiohet horoskopi në çdo detaj duke filluar nga shenjat e deri tek natal chart që tregojnë karakteristikat personale të një personi, të kaluarën dhe të ardhmen në përgjithësi.

Si e shikon interesin e shqiptarëve për astrologjinë? Sa të lidhur jane ata me të?

Shqiptarët kanë shumë interes për astrologjinë dhe janë shume kureshtarë për shkak të informacionit të pakët që kanë pasur. Janë njerëz që kerkojnë të dinë shume rreth gjërave të reja, të panjohura. Megjithatë duhet ta pranoj që lexojnë shumë vitet e fundit dhe kanë mësuar mjaft rreth fushës.

A duhet të kesh përvojë për t’u bërë e besueshme ne ketë fushë? Si fitohet besimi?

Në çdo fushë kërkohet besim. Për t’u bërë më e besueshme kërkon shumë informacion, studim dhe kërkon që gjithmonë të ecëshme hapin e të resë. Leximi i vazhdueshëm dhe studimi i Universit që është gjithmonë në lëvizje, është garancia për t’ia dalë. Duhet të jesh bindëse dhe t’u tregosh njerëzve të vërtetën dhe atë që e thua ta kesh të studiuar e argumentuar.

Si janë përvojat tuaja të deritanishme?

Përvojat e mia deri tani janë mjaft të mira duke pasur parasysh interesin e madh dhe punën e pandalshme.

Si do të jetë 2021 sipas yjeve?

2021 sipas yjeve do të jetë një nga vitet më me fat. Muajt e parë mund të jenë të vështirë, por besohet që nga marsi, sipas yjeve do të jetë një ndryshim i madh. Do të ketë shumë pozitivitet, lajme te mira dhe kohë të bukura që do të vijnë për gjithë njerëzimin.

A ka rivalitet mes astrologësh?

Nuk besoj që ka rivalitet mes astrologëve për shkak se zakonisht të gjithë shikojnë të nxjerrin në pah situatat e së ardhmes. Mund të ketë rivalitet vetëm në teoritë e tyre, por jo mes tyre.

A e shihni ju shenjën tuaj në parashikimet e dikujt tjetër?

Duke qenë kureshtare nga natyra, e bëj gjithmonë, sa herë më jepet rasti, kryesisht duke lexuar astrologët online. Ndërsa në Kosovë, ku edhe jetoj, duke qenë se jam e vetmja, nuk kam shumë mundësi. Më pas e shoh edhe vetë shenjën time, për të bërë krahasime.

Si është puna juaj gjatë kësaj kohe?

Puna ime ka ndryshuar shumë kohët e fundit. Tani angazhimet e mia profesionale përfshijnë seanca personale që mbaj me klientë për astrologjinë, duke bërë leximin e të gjitha shenjave për ta. Merem gjithashtu me shitjen e kristaleve të cilat ndikojnë në aspektin e energjisë dhe fatit dhe besoj që shumë shpejt angazhimeve te mia do i shtohet edhe mbajtja e workshopeve, ku do të zhvillohen kurse për gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë më shumë për astrologjinë dhe të certifikohen në këtë fushë./adrianet.al

Author: horoscope