Sipas pediatres Lira Gjika, ja si të veproni kur fëmija juaj shtrihet dhe ulëret në mes të rrugës

Mjekja pediatre Lira Gjika u ka ardhur në ndihmë shumë prindërve të rinj e familjarëve që kanë një fëmijë të vogël në shtëpi dhe mbase s’kanë gjetur ende mënyrën e duhur si të veprojnë me të.




Ajo tregon si duhet të sillesh me një fëmijë nga mosha 2 deri në 5 vjeç, i cili shtrihet në mes të rrugës dhe ulëret me sa ka në kokë. Sipas pediatres, kjo është mënyra e fëmijës për të shprehur emocionet e tij, ndaj s’duhet të ndalohet, qortohet apo goditet për këtë veprim.




“Tantrumet apo të bërtiturat e forta, shtrirjet përdhe në mes të rrugës dhe kudo, jane sjellje normale e fëmijëve 2-5 vjeç. Fëmijët e kësaj grupmoshe, kur janë duke luajtur apo u pëlqen diçka dhe u ndëpritet apo nuk u plotësohet, nuk kanë mekanizma, që të mund ta nderpresin apo kontrollojnë mërzinë që provojnë, kur u ndërpritet kënaqësia. Në këto raste të rriturit duhet të ruajnë qetësinë e të mos nervozohen apo të turpërohen, kur janë në rrugë. Këto sjellje, të cilat janë fazë kalimtare e femijës, janë të lidhura me sferën emocionale, e cila po rritet e zhvillohet, por ende femija nuk di ta njohe e menaxhoje.




Jo më kot, në vendet e zhvilluara, fillojnë shumë shpejt t’i emërtojnë situatat emocionale, që të paktën fëmija të mësojë emrin e asaj që ndjen dhe me rritjen, duke i njohur situatat emocionale do të dijë t`i menaxhojë. Në traditën tonë, fëmijët që bërtasin apo shtrihen në tokë, pra që bëjnë tantrum, i trajtojmë shumë keq. Nervozohemi vetë, i bërtasim deri e godasim fëmijën.




Një problem tjetër, janë dhe njerëzit e tjerë duke filluar nga gjyshërit, që ndërhyjnë vend e pa vend e deri te njerëzit në rrugë. Me mendjen e tyre duan të ndihmojnë, por në fakt, i “hedh benzinë zjarrit” dhe situata bëhet e rëndë për të dy palët, prindër dhe fëmijë. Nuk duhet ndërhyrë ndërmjet prindit dhe fëmijës. Ndërhyhet vetëm kur prindi dhunon fizikisht fëmijën, vetëm atëherë nuk meret leje.




Kur fëmija bën tantrum, ne fakt po kerkon ndihme, pasi nuk di te dale nga gjendja. Duhet ruajtur qetësia deri sa fëmija të pushojë vetë. Më pas, mos e etiketoni. Në një moment të dytë, sidomos, kur e çoni fëmijën për te fjetur dhe do të lexoni librin, bëni një lojë të vogël, duke e imituar dhe duke qeshur. Mund ti thuhet me qetësi dhe me humor:- mos u bezdis, se ti kështu bën, po të duash mund ta bësh edhe tani që jemi në shtëpi dhe nuk jemi në rrugë. Fëmija pak nga pak mëson të menaxhojë situatën si dhe, të mos ketë nevojë ta bëjë më.”



Author: horoscope