Banorët kanë biseduar për famën e madhe që u dha “Big Brother VIP” dhe në të dëgjohet Luizi i cili thotë se meritën më të madhe për këtë e ka ky program. Pas këtyre fjalëve, Lori Hoxha ka reaguar me një postim në Instastory ku shprehet se kur dëgjon këto fjalë lumturohet për suksesin e arritur.
Lori Hoxha: Big Brother VIP është një nga produksionet më të bukura dhe më të vështira që Top Channel ka dhe vetëm grupi që punon për të 24 orë në ditë për muaj të të tërë mund ta kuptojë. Megjithatë, kohët e fundit kam ndjerë që tek ta presioni që vjen me audiencën gjigande që ky program kap është shpeshherë e vështirë për tu kapërcyer dhe të sharat e vazhdueshme nga publiku i thjeshtë, por edhe ai mediatik janë të rënda për tu përtypur.
Të arrish këtë lloj suksesi ka të mirat dhe të këqijat e veta, por ajo që nuk duhet harruar për tu përmendur është merita. E shoh që gjurulldia e madhe që krijohet sfumon fjalët e mira që mund të thuhen në përditshmëri sepse kritika ndonjëherë është më e zhurmshme, por dua të marr kohën për të falenderuar publikisht të gjithë grupin e bashkëpunëtorëve të mi në këtë produksion gjigant për punën e palodhur, por dhe forcën mendore që kanë për të përballuar kritikat, mallkimet dhe hetuesinë publike. Nuk ka qenë e lehtë dhe unë e di. Ne kemi një moto: ul kokën dhe puno.
Nuk përbaltim punën e askujt dhe nuk përfshihemi në morinë e komenteve që vijnë nga komentues të thjeshtë, por edhe kolegë. Fjalët e banorëvë ne video vijnë si një përqafim në këtë pikë të punës kur audienca është maksimale, por një pjesë e shoqërisë dështon së vlerësuari spektaklin dhe preferon të bëjë atë që rëndomtë e çon vendin tonë në vështirësi, të mendojë që punën e tjetrit di ta bëjë më mirë. Më lumturon të dëgjoj po ashtu fjalët e Luizit dhe vlerësimin që i jep medias që po e mbështet se jo pak herë ndodh që personazhet që bëhen pjesë në një program të suksesshëm mendojnë që janë më të rëndësishëm se platforma që i jepet dhe pasi i marrin më të mirën, mundohen ta shkelin. Unë kam një besim të madh që gjërat e mira nuk bëhen vetëm dhe mirënjohja të vlen gjithmonë.
Top Channel i ka dyert e hapura për të gjithë që ruajnë të njëjtat vlera në të cilat ai është ndërtuar, dashuria për të bukurën, dëshira për të punuar, shpresa për të ardhmen dhe vullneti për të menduar përtej. Në 22 vitet e kaluara Top Channel ka dëshmuar se si bëhet më së miri një spektakël dhe nën kujdesin e tij kanë lindur dhe janë rritur disa nga personazhet më të dashur shqiptar që sot janë më të mirët në atë që bëjnë. Janë krijuar po ashtu fenomene sociale që kanë arritur të sfumojnë edhe vështirësitë më të mëdha, duke i dhënë kështu një produksioni televiziv fuqinë për të lehtësuar realitetin në ato orë transmetimi. Kjo meriton një duartrokitje publike sepse Big Brother mbaron, por mirënjohja dhe njerzillëku mbeten…