Prej pak ditësh, nëpër portale qarkullon lajmi i “dasmës madhështore” të Arbana Osmanit dhe Eduart Grishajt dhe detaje të tjera janë zbuluar së fundmi.
Panorama Plus raporton se “dyshja ka zgjedhur si vendin e dasmës pikërisht Toskanën, një zonë që ata shpesh e frekuentojnë.” Ditë më parë, Anabel raportoi se ata do të martohen në Firenze, një nga zonat më të njohura të rajonit të Toskanës.
Sipas Panorama Plus, “celebrimi është menduar të bëhet në natyrë, në perëndimin e diellit, ku çifti do t’i thotë “po” njëri-tjetrit në praninë e qindra të ftuarve. Menuja do t’i besohet restorantit italian, çfarë do të sjellë me gjasa një menu vendase. Megjithatë, e gjithë skuadra për nusen do të shkojë nga Shqipëria.”
Thuhet gjithashtu se Bruno dhe Klajdi do të jenë në skenë, por këtë herë do t’u bashkohet edhe Flor Mumajesi. Për të celebruar dashurinë e dyshes, do të jetë edhe Ylli Limani, një nga artistët e preferuar të Arbanës.
Asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare, por thuhet se do të jetë një dasmë e madhe me miq, familjarë dhe personazhe publikë.
Lidhja e Arbanës dhe Eduartit u zbulua nga publiku në shkurt të vitit 2019. Një vit më pas, në tetor të 2020-ës, ata u bënë prindër të një djali, Diellit. Në vitin 2022, erdhi në jetë edhe vajza e tyre, Zoi. Arbana është gjithashtu nënë e një tjetër djali, Jonit, nga martesa me ish-bashkëshortin Ardit Kero.
Megjithatë, kjo për të, do jetë *dasma* e parë dhe do gënjenim nëse nuk do tregonim që jemi shumëëë kuriozë për çdo detaj.