Mëngjesin e sotëm, astrologia Meri Shehu ishte e ftuar në emisionin “Wake Up” për të diskutuar rreth jetës romantike, kontratave dhe shenjave të cilat duhet të bëjnë kujdes me shëndetin në muajin maj. E pyetur rreth shenjave të cilat nuk u zihet besë nga ana sentimentale, Meri u përgjigj se Peshqit kryesojnë listën pasi janë të paqëndrueshëm. Pas tyre vjen Dashi i cili sipas Merit është një shenjë shumë flirtuese dhe impulsive, Binjakët të cilët kanë një karakter të vështirë si dhe Virgjëresha e cila nuk i shpreh shumë emocionet.
Përgjatë diskutimit Meri tregoi se gjatë kësaj periudhe, disa politikanë kanë kërkuar një parashikim për zgjedhjet.
Neada Muçaj: Në këtë periudhë fushate të ka ardhur ndonjë politikan të të kërkojë ndihmë?
Meri Shehu: Po më kanë marrë në telefon. Jo ndihmë jo, nuk kërkojnë ndihmë këta tani. Më ka pyetur vjehrra e ndonjërit, ose kunata e ndonjërit, më shumë familjarë sesa drejtpërsëdrejti.
Blendi Salaj: Ti e ofron këtë shërbim?
Meri Shehu: Patjetër, duke parë hartën astrologjike personale të një njeriu, shohim sesa mundësi ka ai njeri të marrë një pozicion, ose sa mund të ngrihet në karrierë, ose sa mund të përfitojë nga momenti.
Shehu dha gjithashtu opinionin e saj të bazuar në astrologji sa i përket kombinimit mes shenjave të zodiakut të disa prej politikanëve më të rëndësishëm shqiptarë.
Neada Muçaj: Tani, flasim për këta që kandidojnë për të qenë kryetarët e bashkive përkatëse, ndërkohë kemi edhe figura më lart që janë më të rëndësishme si Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha. Këtë përballjen e këtyre të treve si e sheh?
Meri Shehu: Berisha është Peshore, Rama është Gaforre dhe Meta është Dash. Pra janë 3 veta, duhet të bëhen 4 në fakt që janë në kryqin e shenjave kardinale dhe mungon Bricjapi. Këta kombinojnë me njëri-tjetrin, sido që të jetë puna. Janë kundërshtarë që në të njëjtën kohë kanë kimi dhe e mbajnë kundërshtimin të pa shpërthyeshëm.
Blendi Salaj: Pra ti po thua, nëse do të ikte Ilir Meta…
Meri Shehu: S’e lënë asnjërin të iki. Këta janë të gjithë bashkë. Pra janë kulmet e një trekëndëshi që se çfarë ndodh në mes nuk e di unë, por janë kulmet që e mbajnë një trekëndësh bashkë. Nuk ndahen.