Nëse edhe juve këto kohë ju ka kapur një fiksim me “vape” – nuk jeni të vetmit. Ekspozimi në media (Big Brother, me ty e kemi), rrjete sociale dhe shumëllojshmëritë e shijeve dhe aromave, kanë bërë që produkti të jetë shumë #trend këto kohë.
Por, le të mësojmë pak më shumë për cigaret elektronike dhe *pse* do ishte mirë që t’i konsumonin veç ~të rriturit~
Cigarja elektronike u shpik nga farmacisti kinez Hon Lik në vitin 2003. I frymëzuar nga vdekja e babait të tij (duhanpirës) nga kanceri i mushkërive, Lik donte të krijonte një alternativë më të shëndetshme për duhanin që do ta bënte gjithashtu më të lehtë lënien përgjithnjë të tij.
Cigarja elektronike me të cilën ai hyri në treg – dhe ajo që shumica e njerëzve ende përdorin sot – përfshin një bateri të vogël që nxehet dhe avullon lëngun që përmban nikotinë dhe substanca të tjera. Ju pastaj e thithni (vape) atë avull në mushkëri. Njëzet vjet më vonë, më shumë se 70 milionë njerëz përdorin vape mbarë botën, përfshirë 2.5 milionë nxënës të shkollave të mesme dhe të mesme në SHBA. (Në Shqipëri nuk ka statistika për këtë, por mjafton të bëni një xhiro në rrugët e qytetit për të parë se sa dukshëm është rritur përdorimi i vape.)
Shumë njerëz e kanë lënë duhanin me ndihmën e cigareve elektronike, pothuajse gjithmonë në kombinim me strategji të tjera si çamçakëz apo këshillim mjekësor.
Ajo që filloi si një e ashtuquajtur alternativë më e shëndetshme ndaj cigareve, megjithatë, u shndërrua në një produkt fitimprurës dhe që po krijon po aq varësi.
Njerëzit po fillojnë t’i përdorin këto “cigare” në mosha shumë të reja. Deri në 25 vjeç – truri është ende në zhvillim dhe ka më shumë gjasë për ndryshime në strukturën dhe kiminë e trurit, ndërsa varësia ndaj nikotinës përhapet.
Si e mashtron nikotina trurin
Qendra e shpërblimit të trurit, është jetike për mbijetesën tonë. Ajo kontrollon nxitjen për të ngrënë, për të fjetur, për të rënë në dashuri, për të shmangur rrezikun, për të ndier kënaqësi dhe gjithçka tjetër që duhet të bëjmë për të lulëzuar si specie.
Kur një person fillon të përdorë një lëndë që krijon varësi, si nikotina (apo alkooli, etj), ajo fillon të marrë “peng” qendrën e shpërblimit duke ndryshuar, siç thamë, strukturën dhe kiminë e saj.
Pas një periudhe përdorimi të vazhdueshëm, truri mashtrohet duke menduar se ka nevojë për nikotinë po aq sa ka nevojë për ushqim, gjumë, strehim, etj. Truri fillon të mendojë se i nevojitet nikotina për të mbijetuar.
Kur kjo ndodh me adoleshentët, ata fillojnë të zgjedhin shpërblimin e rremë të nikotinës në vend të shpërblimeve të vërteta si marrja e notave të mira, të dalit mirë në sport, socializimi me miqtë dhe anëtarët e familjes, muzika e mirë etj. Fëmijët ende mund t’i bëjnë këto gjëra dhe të fitojnë kënaqësi prej tyre, por ka një lloj “mbytje” të caktuar që ndodh. Në fakt, nikotina zë hapësirën në qendrën e shpërblimit dhe gjatë gjithë ditës bërtet “unë, unë, unë!”
Duhet theksuar se cigaret elektronike të hershme nuk përmbanin nikotinë aq shumë sa cigaret. Megjithatë, kjo situatë ndryshoi me futjen në vitin 2015, të disa produkteve dhe kompanive të tjera, të cilat shtuan acid benzoik në lëngun elektronik të nikotinës – duke e bërë më të thjesht thithjen/ marrjen e saj në mushkëri.
Thënë këto, njerëzit e rritur, në fund të fundit, mund të konsumojnë ç’të duan – edhe pse varësia nga nikotina nuk është e mirë për askënd. Ama, që adoleshentët të krijojnë varësi të tilla, kjo është shumë e pashëndetshme!
Së fundmi, duhet theksuar se, për shkak se cigaret elektronike ekzistojnë prej pak vitesh, dihet pak për efektet e tyre afatgjata shëndetësore.