Që prej ditës së djeshme kemi hyrë zyrtarisht në sezonin e Peshqve, por a i njihni vërtetë ata?
Të lindurit në këtë shenjë janë të sjellshëm, të ndjeshëm, ëndërrimtarë, altruistë, bujarë, intuitivë dhe me plot fantazi. Janë shumë të fokusuar në botën e tyre të brendshme, si rrjedhojë i japin shumë rëndësi ndjenjave. Fakti që këtë shenjë e simbolizojnë dy peshq në drejtime të kundërta, tregon se ata mund të kenë hera-herës dy personalitete njëlloj si Binjakët.
Kombinimi i planetëve Jupiter dhe Neptun i bën Peshqit me energji unike dhe në të njëjtën kohë të devotshëm, të duruar, zemërdëlirë, të ndershëm, krijues, modestë, të thjeshtë, autokritikë dhe besnikë. Në familje nuk është e lehtë t’i kuptosh pasi ndonjëherë mbyllen në vetvete dhe nuk i duan vendet me zhurmë. Në qoftë se trajtohen me butësi dhe ëmbëlsi përgjigjen me dashuri të sinqertë. Peshqit nuk janë të dhënë shumë pas punës, por megjithatë arrijnë të sigurojnë një pozicion të mirë ekonomik në sajë të këmbënguljes dhe forcës së vullnetit.
Në lidhjet personale s’janë kurrë egoistë dhe janë shumë bujarë me ato që duan dhe respektojnë dhe kur ia venë syrin dikujt duan ta bëjnë sa më shpejt atë për vete. Meqë janë shenjë uji ata janë të paparashikueshëm.
Pëlqejnë: vetminë për të ëndërruar, sekretet, misterin, ripërtëritjen.
Urrejnë: mburrjen, mosmirënjohjen dhe formalitetin.
Prirjet profesionale: Meqenëse femra e lindur në këtë shenjë është veçanërisht intuitive dhe e ndjeshme ajo do të arrijë suksese në të gjitha ato veprimtari që kërkojnë këto karakteristika. Ajo mund t’ia dilte mbanë lehtësisht në fushën e kërkimeve, në psikologji, në mjekësi, në farmaceutikë, në edukim, mbasi ka një shpirt sakrifice të jashtëzakonshëm. Mashkulli i lindur në shenjën e Peshqve tërhiqet gjithmonë nga të papriturat dhe mund të ushtrojë me sukses ato profesione që kanë të bëjnë me kolektivitetin, si: tregtia apo punët që lidhen me financat (bursë,bankë etj). Kjo shpjegohet me faktin se mashkulli i Peshqve ka një intuitë me të vërtetë të vlefshme.