Një foshnjë siriane, nëna e së cilës ndërroi jetë pasi e lindi nën rrënojat e shtëpisë së tyre të shkatërruar nga tërmeti, tani ka një emër: Aya, që në arabisht ka kuptimin “një shenjë nga Zoti”, “mrekulli”.
BBC raportoi se mijëra njerëz janë ofruar të birësojnë bebushen, megjithatë, për Aya-n do të kujdeset xhaxhai dhe familja e tij.
Punonjësit e shpëtimit në Jindayris, Siri, e gjetën Aya-n të hënën pasdite, më shumë se 10 orë pas goditjes së tërmetit, teksa po gërmonin rrënojat e ndërtesës ku jetonin prindërit e saj. Kur u gjet, foshnja ishte ende e lidhur me kordonin e kërthizës me të ëmën, Afraa Abu Hadiya, e cila kishte ndërruar jetë së bashku me burrin dhe katër fëmijët e tjerë. Foshnja u dërgua me urgjencë në spital.
E ëma ndoshta lindi vajzën dhe më pas vdiq disa orë para se të gjendeshin, tha Dr. Hani Maarouf në spitalin Cihan në qytetin Afrin.
Videoja e shpëtimit të Aya-s u bë virale në rrjetet sociale. Pamjet tregonin një burrë duke vrapuar nga rrënojat e një ndërtese të shembur i cili shtrëngonte një foshnjë të vogël të mbuluar me pluhur. Një burrë i dytë vraponte drejt të parit, duke mbajtur një batanije në përpjekje për të ngrohur të porsalindurën në temperatura nën zero, ndërsa një i tretë bërtiste që një makinë ta çonte në spital.
Mjekët thanë se trupi i saj kishte mavijosje, të çara, ndërsa balli dhe gishtat ishin bërë blu nga i ftohti. “Ajo gjithashtu mbërriti me hipotermi për shkak të të ftohtit të ashpër. Ne duhej ta ngrohnim dhe t’i jepnim kalcium,” tha pediatri Hani Maaroouf.
Aya ndodhet në spital dhe gjendja e saj po përmirësohet dita-ditës.