Vreshtaria dhe prodhimi i verës janë veprimtari ekonomike të rëndësishme për vendin tonë. Në rritje të aktivitetit të tyre, si dhe shtimit të sipërfaqeve të vreshtave u pa e nevojshme një ligj i ri, i cili synon formalizim të sektorit si dhe kontroll më të mirë të tij sa i takon sigurisë.
Ligji, i bërë publik vitin e shkuar përmes një drafti nga Ministria e Bujqësisë, është dërguar së fundmi në Kuvend, ku do të përqendrohet rreth:
-Prodhimin e verës me varietete të mirë përcaktuara e të certifikuara;
– Regjistrimin e të gjitha sipërfaqeve të mbjella;
– Etiketimin, marketingun sipas rregullave të Bashkimit Evropian; kryerjen e kontrollove; që do të çojnë në formalizim të plotë të sektorit nga prodhuesi deri te përfituesi përfundimtar, në rritje të konkurrueshmërisë së produktit, në ulje të importit, gjenerim të të ardhurave dhe përmirësim të jetesës.
Por, të tjera çështje të rregulluara në këtë segment tregu janë padyshim shkeljet dhe masat disiplinore. Përkatësisht, përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme:
a) Mos deklarimi i të dhënave sipas parashikimeve të nenit 11, të këtij ligji, dhënia e informacionit të pasaktë për vreshtin, emrin e varieteteve të vreshtit apo sinonimet e tyre;
b) Prodhimi ose mbushja e shisheve me produkte të rrushit për verë me qëllim shitjeje pa u regjistruar në regjistrin e vreshtarisë, sipas parashikimeve të nenit 12, të këtij ligji, nga rrush i përftuar nga vreshta të paregjistruar në regjistrin e vreshtarisë;
c) Mos mbajtja e regjistrave dhe mosplotësimi i dokumenteve shoqëruese të produkteve, sipas parashikimeve të neneve 16 e 38, të këtij ligji;
ç) Prodhimi për shitje i produkteve nga rrushi për verë prodhuar nga rrush i përftuar nga vreshta në territorin e Republikës së Shqipërisë, në një vendndodhje të ndryshme nga vendi i prodhimit të verës të regjistruar në regjistrin e vreshtave, sipas parashikimeve të nenit 11, të këtij ligji;
d) Mos përmbushja e detyrimeve për tërheqjen e nënprodukteve që rezultojnë nga prodhimi i produkteve të rrushit për verë ose shkaktimi i mbi shtypjes së rrushit, sipas parashikimeve të nenit 15, të këtij ligji;
dh) Mos certifikimi i produkteve të verës pa EOM-në dhe TGJM-në për të vendosur në etiketë vitin e vjeljes ose emrat e varieteteve të hardhisë ose sinonimet e tyre, sipas parashikimeve të nenit 36, të këtij ligji;
e) Hedhja në treg dhe tregtimi i produkteve që nuk plotësojnë kërkesat e përcaktuara në nenet 37, 38, 39 dhe 40, të këtij ligji.
ë) Ushtrimi i veprimtarisë në kundërshtim me kërkesat e praktikave enologjike 36 të përcaktuara në nenin 13, të këtij ligji.
Për kundërvajtjet administrative të parashikuara në nenin 43, të këtij ligji, merren këto masa administrative:
- Për shkeljet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 43, gjobë 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë për çdo ha vresht.
- Për shkeljet e parashikuara në shkronjat “c”, “ç”, “d”, “dh” dhe “e”, të nenit 43, gjobë deri në 20% të vlerës së produktit.
- Për çdo shkelje mund të merret masa e bllokimit të aktivitetit deri në rregullimin e detyrave të lëna dhe parashikimeve ligjore.
- Për shkeljet e shkronjës “ë”, të nenit 43, të këtij ligji, aplikohet masa e asgjësimit, në përputhje me ligjin për ushqimin, procedurë që realizohet nga institucioni i kontrollit zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë.
Projektligji do të zbatohet nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë, vendas e të huaj, që zhvillojnë në Shqipëri aktivitete ekonomike, të cilat lidhen me qëllimin e ligjit, duke përfshirë prodhimin, tregtimin, eksportin dhe importin e produkteve të mbuluara nga sektori i verës. Ky projektligj nuk do të zbatohet për produktet e verës që nuk janë për shitje. / D. Hyka