Policia e Shtetit njoftoi se është finalizuar me sukses operacioni i koduar “MERSIN”.
Operacioni u zhvilluar në Portin e Durrësit, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet doganore në Port Durrës. Si rezultat i këtij operacioni është sekuestruar rreth 49 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera se në një kontenier fshihej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë, në bashkëpunim me autoritetet doganore kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “MERSIN”.
Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontenierë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin S. Ç., të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikeve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi S. Ç., banues në Sauk, Tiranë.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Për arsye hetimore nuk jepen detaje të tjera rreth operacionit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.