38 milionë euro për blerjen e energjisë në tregun e lirë vetëm për gjysmën e nëntorit

79

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), një nga tre kompanitë pjesë e OSHEE Group, ka arritur të sigurojë energjinë elektrike deri më datë 16 nëntor por çmimet me të cilat është siguruar kjo energji vijojnë të jenë të “kripura”.

Vetëm për këtë periudhë që korrespondon me 3-16 nëntor FTL pjesë e OSHEE Group ka shpenzuar 38 milionë euro, me çmime që luhaten nga 240-280 euro/mwh. Çmimet e çmendura të energjisë që nisën në shtator të këtij viti nuk po duket të kenë ndonjë ulje edhe pse në ditë të caktuara në Bursën e Hungarisë ka nivele relativisht të ulëta në raport me shifrat 360 euro/ MWh që pamë në tetor për oraret e pik.

Aktualisht Furnizuesi i Tregut të Lirë po ble nga kompanitë vendase, teksa shifrat e larta që po paguhen vijnë në një kohë kur prodhimi vendas mbetet i ulët. Situata hidrike aspak favorizuese që fillimisht kishte shpresa se do të përmirësohej me vjeshtën po vijon të mbetet problematike.

Tre kompanitë publike të tregut si OSHEE, KESH dhe OST janë fokusuar tek përballimi i situatës që u cilësua si gjendje e jashtëzakonshme e furnizimit me energji dhe që me një vendim qeveria u vendos se do të zgjatë seri më 15 prill 2022.

Vetëm në tetor, FTL pagoi për të siguruar energjinë e nevojshme për konsum rreth 65 milionë euro, një shumë kjo rekord dhe më e madhja e regjistruar ndonjëherë në një hark të tillë kohor prej më pak se 30 ditësh.

Qeveria parashikoi 100 milionë euro për këtë vit për OSHEE në funksion të sigurimit të energjisë për konsumin në vend teksa 100 milionë të tjera do të jenë në dispozicion për vitin tjetër. Kompania publike e shpërndarjes ka parashikuar që për shkak të krizës energjetike të ketë një vit bilanc negative gjatë këtij viti.

Zgjidhja më e shpejtë që është menduar është ajo e nxjerrjes në treg të lirë e të paktën 7 mijë bizneseve që janë të lidhur në tension të mesëm. Kjo do të ulë koston për OSHEE e cila do të ketë detyrimin të furnizojë vetëm konsumatorët familjare dhe ata në tension të ulët ndërsa ata në treg të lirë do të duhet ta sigurojnë të vetëm këtë energji me çmime tregu.

Konfirmimin për këtë hap e ka deklaruar edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, duke nënvizuar se dalja e këtyre bizneseve në treg të lirë do të jetë në janar 2022.

“Kemi kaluar çdo limit për të mos ekspozuar bizneset shqiptare në tregun energjetik dhe i kemi mbajtur me çmimin e paracaktuar që OSHEE ofron”, u shpreh Balluku.

Momenti në të cilën 7 mijë biznese do të dalin në treg të lirë është ndoshta më jo i favorshmi për ta, për shkak të një krize që ka marrë përmasa globale. Kjo do të thotë që bizneset në tregun e lirë do të sigurojnë energjinë me çmimet e tregut ku 1 këh energji arrin në 25 lekë. Në raport me çmimet e rregulluara ky nivel është më shumë sesa dyfish.

Problematika me çmimet mbetet shqetësues për këtë kategori duke qenë se jemi në kushtet e një krize dhe ku çmimet në bursa nuk pritet që të ulen të paktën deri në mes të vitit 2022. Por edhe gjatë kësaj periudhe ulja do të jetë modeste duke zbritur nga mbi 250 euro/Mwh që jemi aktualisht në 150 euro/Mwh.

Stabilizimi i plotë i çmimeve për të shkuar drejt niveleve të mëparshme në 50-70 euro/Mwh do të kërkojë të paktën dy vite sipas ekspertëve të tregut. Ekspozimi ndaj këtyre çmimeve do të verë në vështirësi një pjesë të bizneseve të cilët edhe pse mund të arrijnë të sigurojnë energjinë do të paguajnë një kosto të lartë për të çka do të reflektohet tek kostoja e prodhimit e në vazhdim me efekt zinxhir tek kostoja e produkteve të konsumatorëve. Pjesa më e madhe e bizneseve në grupin që do të dalin në tregun e lirë janë në zonat e industrializuara dhe kryesisht mes Tiranës dhe Durrësit. /Monitor/