Punonjësi i spitalit në Itali kishte 15 vjet që nuk shkonte në punë, por vazhdonte të merrte rrogën

149

Shpeshherë thuhet me humor se punët në sektorin publik janë të thjeshta dhe madje mund të rrish dhe gjithë ditën pa punuar. Një nënpunës civil i sektorit spitalor në Itali e ka vërtetuar përtej çdo dyshimi këtë stereotip, teksa nuk u shfaq në punë për 15 vjet dhe megjithatë vazhdoi të merrte rrogën e cila përgjatë kësaj periudhe ka shkuar në 538 mijë euro.

67-vjeçari banor në qytetin Catanzaro të Kalabrisë ka që në 2005 që nuk shkon në punë dhe sipas mediave italiane me disa falsifikime dokumentash dhe shantazh përkundrejt punonjësve të tjerë ka arritur që të mos shkojë në punë dhe drejtuesit e institucionit as nuk e kanë vënë re këtë fakt.

Skandali i vërtetë është fakti që vetë drejtori i spitalit ka pranuar se nuk i ka shkuar ndërmend të kontrollojë nëse punonjësit shkojnë apo jo në administratë.

Ngjarja ndodh vetëm pak javë, pasi një tjetër incident i ngjashëm u regjistrua në Spanjë ku një punonjës i administratës lokale kishte 8 vjet që nuk shkonte në punë dhe mungesa e tij u vu re vetëm kur ai do të dekorohej sepse kishte “shërbyer” për një kohë të gjatë.