Zbulohen planet e lordit shqiptar të drogës, do të ndërtonte nëndetësen për të trafikuar kokainë

184

Një shqiptar, i dyshuar si kreu i një organizate ndërkombëtare për trafikun e drogës është arrestuar më 31 Mars të këtij viti në Karolinën e Veriut në SHBA. Mediat amerikane shkruajnë se Ylli Didani, 43 vjeç dhe një person tjetër kishin planifikuar që të ndërtonin një nëndetëse të vogël me qëllim që të trafikonin kokainën nëpërmjet Oqeanit Atlantik. Ndaj Didanit, rëndon akuza e trafikut të kokainës. Sipas prokurores së kësaj çështje, Saima Mohsin, Didani dhe disa persona të tjerë, duke përfshirë edhe një person nga Grosse Pointe Park planifikuan dhe financuan shpërndarjen e kokainës në disa vende të ndryshme.

Por planet janë prishur në momentin që personi nga Groose Pointe Park ka vdekur pas rrëzimit të një avioni. Sipas hetimeve të autoriteteve amerikane, të bëra publike më 1 Prill, Didani ishte kreu i një organizate ndërkombëtare trafiku droge që kishte lidhje të forta në SHBA, Meksikë, Amerikë të Jugut dhe Europë. Mes planeve të kësaj organizate kriminale ishte edhe ndërtimi i një nëndetëse, ose droni nënujor. Sipas hetimeve, 43-vjeçari shqiptar dhe personi tjetër po shikonin mundësinë e dizejnimit të një nëndetëse të vogël që do të mund të transportonte sasi të mëdha kokaine në Europë.

Sasitë e kokainës së sekuestruara nga autoritetet
Kjo nëndetëse do të pajisej me një modem nënujor dhe antenë GPS, që më vonë do të lidhej me fundin e anijeve tregtare. Sapo të arrihej në brigjet pranë Europës, kjo dërgesë do të lëshohej dhe do të merrej nga anijet e peshkimit që kontrollohen nga organizata e Didanit. Pretendohet se Didani ka organizuar shpërndarjen e disa ngarkesave të mëdha me kokainë nga Amerika e Jugut në Europë. Në vitin 2019 dhe 2020, autoritetet thonë se kanë sekuestruar më shumë se 3400 kilogramë kokainë nga kjo organizatë kriminale dhe nëse do të dilte në treg do të kishte një vlerë që do të arrinte deri në 100 milionë Dollarë.

“Kjo është një ndjekje ligjore e rëndësishme ndaj një organizate trafiku droge të mirëorganizuar dhe të madhe që është përfshirë në shpërndarjen e mijërave kilogramë kokainë me vlerë dhjetëra milionë Dollarë në disa kontinente të ndryshme”, tha Mohsin duke falenderuar autoritetet për punën që sipas saj u kulmuan me ngritjen e padisë më 1 Prill.

6 vite hetime të gjata

Hetimet për Didanin dhe organizatën e tij kanë nisur që në Janar të 2015-ës. Autoritetet federale u shprehën se organizata kriminale kishte lidhje të forta në Shtetet e Bashkuara, Kolumbi, Ekuador, Meksikë, Kanada, Kili, Shqipëri, Brazil, Gjermani, Republikë Dominikane, Emiratet e Bashkuara Arabe, Belgjikë, Spanjë dhe Holandë. Sipas dokumenteve, Didani është ndaluar në vitin 2015 në Aeroportin e Chicago-s ku u referua nga Patrullat e Kufirit dhe Doganave për një kontroll të dyfishtë. Autoritetet i kontrolluan telefonin, ku zbuluan foto me para dhe pamje ku ai mbante armë. Didani është dënuar për përdorimin e armës në gjendje të dehur, një gjë që është e dënuar në Michigan, ku i është ndaluar që atëherë që të mbajë armë në SHBA. Në vitin 2016, ai u ndalua sërish nga autoritetet doganore në aeroport ku i gjetën me vete substanca për rritjen e hormoneve. Sërish i kontrolluan telefonin dhe i gjetën foto me tufa parash. Ata i gjetën një komunikim me një person, që nga autoritetet është shënuar si CC-1, në aplikacionin Viber ku flisnin për pastrim parash dhe dërgimin e parave nëpërmjet FedEx në një magazinë. Sipas autoriteteve në foto ishte edhe një çantë, që është pëdorur për transportimin e pakove me kokainë.

Më tej, shtohet se në bisedat e tij u gjet një tjetër person, të cilit i kërkonte ndihmë që të lëvizte nga Deutsche Bank 100 milionë Euro përmes një banke në Dubai, pa bërë transparencë në lidhje me transaksionet. Personi tjetër me të cilin fliste u identifikua si ‘Marty’, emri i plotë i të cilit është Marty Tibitts, drejtori ekzekutiv i një kompanie në Amerikë. Federalët pretendonin se “Marty”, i cili në hetime shënohet si CC-2, po financonte një pjesë të madhe të aktivitetit të aktivitetit të organizatës së Didanit. Ai mësohet se i ka kaluar Didanit përmes një personi tjetër rreth 864 mijë Dollarë në dyqane e argjendari dhe kjo sasi është përdorur nga trafikantët për të pastruar paratë dhe për të shmangur dënimin.

Marty Tibitts
Mes datës 19 Qershor dhe 12 Gushtit 2017, Marty kaloi më shumë se 1.8 milionë Dollarë tek katër persona të ndryshëm në Shqipëri, në disa transaksione të ndryshme. Një transaksion shkoi drejt një personi të panjohur, një ndaj Didanit dhe një transaksion e ka kaluar ndaj vetes. Më 16 Gusht, Didani i ka dërguar ‘Marty-t’ një pako në shtëpinë e tij në Grosse Pointe Park. Në këtë pako listoheshin disa sende personale dhe kompjuterë. Ditën e dytë arriti një pako e dytë me karta dhe letra. Sipas federalëve, kjo ishte mënyra sesi trafikantë e drogës dhe personat që pastronin paratë i dërgonin të dhënat që mendonin se mund të kërkoheshin kur kalonin kufirin. Zakonisht në pakon e dytë kërkohej një fjalëkalim në mënyrë që të mos hapej pajisja nga autoritetet.

Projekti i nëndetëses
Planet për të trafikuar drogën me nëndetëse

Në këto momente, sipas mediave vjen edhe ideja për të ndërtuar një nëndetëse të vogël ose dron nënjuor. Sipas mediave, ‘Marty’, po financonte planet e Didanit për të blerë kokainë në Amerikën e Jugut, por sëbashku me të bënë planet për të krijuar nëndetësen në fjalë. Sipas tyre, kjo pajisje do mund të lëshohej në brigjet e Europës dhe do të mund të kontrollohej përmes GPS-së në një distancë prej 100 miljesh. Anijet e peshkimit do të ndërhynin më vonë për të marrë sasinë e kokainës.

‘Marty’ kontaktoi me një kompani për të ndërtuar pajisjen dhe dy vitet e ardhshme u punua për një prototip. Sipas mediave, hapësira brenda nëndetëses do të ishte bosh ku do të futej sasia e drogës. Fillimisht kësaj kompanie i janë paguar 12 mijë Dollarë përmes një transferte parash nga një llogari bankare në Shqipëri. Didani e ka diskutuar këtë projekt me anëtarë të organizatës së tij dhe e kishte quajtur “torpedo”. Por në vitin 2018, ‘Marty’ vdes në një aksident ajror. Komunikimet me kompaninë ndaluan dhe kjo pajisje nuk u ndërtua dot për shkak të mungesës së fondeve dhe të komunikimit.

Në kërkim të një financieri të ri

Sipas autoriteteve, pas kësaj ngjarje, Didani ka qenë në kërkim të një financuesi të ri dhe ka filluar udhëtimet ndërkombëtae. Në Shkurt të vitit 2019, ai u arrestua në Holandë teksa po ngjitej në një avion gati për të shkuar në Ekuador. Dyshimet ishin për pastrim parash. Ai u ndalua për një javë dhe më pas pagoi gjobën e nevojshme për t’u liruar me kusht. Më pas udhëtoi drejt Ekuadorit ku sipas autoriteteve ka folur me kompani të ndryshme të vendosur në Amerikën e Jugut për importin dhe eksportin e kokainës. Organizata e tij krijoi kompani të mëdha që merreshin me trafikimin e drogës. Për shkak të korruptimit të punonjësve të porteve dhe të doganave ai ka bërë të mundur kalimin e sasive të mëdha të drogës.

Sasitë e bllokuara të kokainës
Sasi të mëdha kokaine të sekuestruara

Më 11 Gusht 2019, autoritetet në një port të Holandës sekuestruan 753 kilogramë kokainë. Sasia e drogës ishte mes një kontejneri që vinte nga Ekuadori dhe kishte banane. Në fund u zbulua se sasia ishte porositur nga një kompani në Gjermani dhe në vend të bananeve, kontejneri ishte mbushur me kokainë. Në Shtator të vitit 2019, Didani gjeti një bashkëpunëtor të tretë, CC-3. Në Shkurt të vitit 2020, agjentët e DEA-s në Holandë shpërndanë informacionin se një sasi kokaine e futur në një kontejner ishte financuar dhe organizuar nga Didani. Autoritetet mundën që të sekuestronin në bazë të këtij informacioni 644 kilogramë kokainë. Gjatë kësaj periudhe sipas autoriteteve është bërë e mundur kapja edhe e një sasi tjetër shumë të madhe droge në Holandë dhe Spanjë që ishte nisur nga organizata e Didanit. Ylli Didani u arrestua më 31 Mars të këtij viti dhe do të përballet me akuzën e shpërndarjes së kokainës.

Ylli Didani është emër i njohur edhe për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2017 atij i janë sekuestruar nga policia e Tiranës 460 mijë dollarë. Didani, më herët ka qenë i arrestuar në Tiranë për kundërshtim të efektivëve blu, sipas një njoftimi zyrtar të policisë së datës 14 Prill 2015./tvklan.al