Pse kërkohet ndryshimi i ligjit për bllokimin e llogarive

191

Akti nënligjor për bllokimin e llogarive zgjoi shqetësimin e Shoqatave të Bizneseve dhe Dhomave të Tregtisë për ligjin e procedurave tatimore. Udhëzimi, që i sanksiononte administratës tatimore të drejtën për të bllokuar llogaritë bankare pa vendim gjykate, u ndryshua nga Ministria e Financave, por biznesi kërkon që në vijim të rishikohen edhe ligjet bazë që nxitën debatin. Ndërkohë në ligjin tregtar, ende nuk janë të parashikuara forma të ndryshme të organizimit të shoqërive tregtare që funksionojnë jashtë Shqipërisë. Problemet nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese

Shoqata të biznesit dhe Dhomave të Tregtisë rekomandojnë si të domosdoshme që në të ardhmen të nisin konsultimet me studiot ligjore dhe sipërmarrjen për rishikimin e ligjit “Për procedurat tatimore” dhe “Për shoqëritë tregtare”. Kërkesa vjen pas debatit të fortë që krijoi miratimi i udhëzimit për bllokimin e llogarive bankare të administratorit dhe ortakëve të subjekteve me formë juridike (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), në rastet kur biznesi që ata administrojnë apo janë ortakë, ka detyrime tatimore të pashlyera dhe nuk i ka shlyer ato edhe pas marrjes së njoftimit nga ana e administratës tatimore.

Njëzëri, si asnjëherë më parë, 22 Dhoma të Tregtisë dhe Shoqata Biznesi, në letrën drejtuar ministres së Financave, Anila Denaj, ndryshimet i cilësonin antikushtetuese dhe se përkeqësonin klimën e të bërit biznes tek investitorët e huaj. Në rast se udhëzimi nuk do të ndryshonte, bizneset paralajmëruan se do t’i drejtoheshin Apelit Administrativ për shfuqizimin e tij. Ndryshimet u kundërshtuan edhe nga përfaqësuesit e studiove ligjore më të mëdha në vend, sipas të cilave, zbatimi i tij i hapte rrugë abuzimit të tejskajshëm nga Drejtoritë Rajonale Tatimore.

Pas tërheqjes së Ministrisë të Financave, për rishikimin e udhëzimit, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, thotë për “Monitor” se në frymën e bashkëpunimit është e domosdoshme që të rishikohen për një adaptim të praktikave më të mira ndërkombëtare dy ligjet kryesore, ku referohej zbatimi i aktit normativ nënligjor për bllokimin e llogarive.

“Miratimi i ndryshimeve në udhëzimin nr. 44, ku sanksiononte të drejtën e administratës tatimore për të bllokuar llogaritë e aksionerëve dhe administratorëve dhe më pas vendimi i Ministrisë së Financave për ta rishikuar pas kundërshtive të sipërmarrjes, qartas tregoi se për çdo nismë ligjore, konsultimi paraprak me biznesin është shumë i rëndësishëm. Për politikën është e detyrueshme të kryhen konsultime për nisma ligjore që prekin sipërmarrjen, me qëllim që në fund të arrihet një draft-propozim i rakorduar mes palëve.

Vetë ligji mbi të cilin bazohet nxjerrja e udhëzimit i krijon këto pakënaqësi, prandaj është e nevojshme që në vijim të shikohet mundësia për modifikime ligjore të tij, me rekomandime të propozuara nga biznesi. Edhe ligji “Për shoqëritë tregtare” mendoj se ka probleme dhe duhet adaptuar me praktikat më të mira ndërkombëtare, pasi edhe struktura e zhvillimit të sipërmarrjeve ndër vite ka evoluar.

Këto rishikime janë të domosdoshme, pasi në mbarë botën ekzistojnë forma të ndryshme të organizimit të shoqërive tregtare, të cilat nuk janë të parashikuara në legjislacionin shqiptar. Sigurisht që për këto ndryshime është e domosdoshme të bëhet një konsulencë edhe me studiot ligjore më të njohura dhe me sipërmarrjen, me qëllim që produkti final të jetë i unifikuar dhe të adaptojë praktikat më të mira ligjore ndërkombëtare”, pohoi znj. Muçostepa.

Garantimi i sigurisë për investitorët e huaj dhe në tërësi, krijimi i një klime të stabilizuar për sipërmarrjen shqiptare konsiderohen nga Edvin Premçe, kryetari i Shoqatës ProEksport Albania, dy faktorët kyç ku duhet të orientohen ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”. “Ky ligj mbi të cilin bazohet nxjerrja e udhëzimit për administratën tatimore, duhet të ndryshohet pas një studimi dhe bashkëreflektimi me grupet e interesit. Ajo çka është tjetër e domosdoshme duhet të krijojë një klimë të stabilizuar biznesi dhe jo të ketë ndryshime të njëpasnjëshme, që krijojnë kaos dhe pasiguri për investitorët.”

Kontabilisti Armand Mala vlerëson si të domosdoshëm zbatimin me rigorozitet të ligjit për procedurat tatimore, pasi janë të shumta rastet abuzive të hasura për bllokimin e llogarive bankare nga administrata tatimore.

“Në ligjin aktual ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, jo se nuk parashikohet bllokimi i llogarive bankare të administratorit apo ortakëve, por ky veprim ndërmerrej pas ezaurimit të të gjithë hapave të tjerë. Kjo gjë rregullohej me nenin 99 të ligjit të sipërpërmendur. Neni 99 parashikonte bllokimin e llogarive në përputhje me nenin 16 të ligjit 9901 ‘Për shoqëritë tregtare’, i cili sanksionon te ky nen: ‘Abuzimi me detyrën dhe formën e shoqërisë.

1. Ortakët, aksionerët e shoqërisë tregtare, administratorët dhe anëtarët e këshillit të administrimit, që kryejnë një apo më shumë nga veprimet ose mosveprimet vijuese, përgjigjen personalisht e në mënyrë solidare për detyrimet e shoqërisë, me të gjithë pasurinë e tyre nëse:

a) abuzojnë me formën e shoqërisë tregtare për arritjen e qëllimeve të paligjshme;

b) trajtojnë pasuritë e shoqërisë tregtare si të ishin pasuritë e tyre; c) në çastin kur kanë marrë apo duhet të kishin marrë dijeni për gjendjen e paaftësisë paguese të shoqërisë, nuk marrin masat e nevojshme, për të siguruar që shoqëria, në varësi të llojit të veprimtarisë së ushtruar, të ketë kapitale të mjaftueshme, për të përmbushur detyrimet e marra përsipër ndaj palëve të treta’.”

Në formën aktuale, ligjet janë në harmoni dhe nuk e zhbëjnë konceptin e sh.p.k-së. Por në praktikë, tashmë prej shumë kohësh është bërë e udhës që urdhrat e bllokimit të llogarive bankare të administratorit lëshohen njëherazi me urdhër-bllokimin e llogarive të subjektit tregtar. Ajo çka ndryshimi i fundit ligjor kërkonte të bënte, de facto vazhdon të bëhet.

Në opinionin tim është një formë shumë agresive e të mbledhurit të borxhit. Ligji aktual i Procedurës Tatimore rregullon shumë mirë gjithë hapat e mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor. Ajo që ka nevojë të përmirësohet është zbatimi me rigorozitet i tij, dhe mosabuzimi nga ana e administratës tatimore. Kujtojmë që ka plot raste dhe pse detyrimi tatimor është shlyer, administrata tatimore vazhdon të mbajë të bllokuara llogaritë bankare, pra nuk ka një ndjekje apo gjurmim pas lëshimit të urdhrave për bllokim të llogarive”.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese

Shqipëria, prej pothuajse 3 vite e gjysmë, është pa Gjykatë Kushtetuese, e cila mbron dhe garanton parimet e sanksionuara në Kushtetutë. Duke qenë se në vend nuk ka një gjykatë që të mbrojë këto parime, praktikisht edhe sipërmarrja po gjendet përpara ligjeve të paracaktuara, por nuk ka ku të ankohet. Debati që krijoi udhëzimi i procedurave tatimore tregoi se në vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese për të trajtuar çështje të ngjashme antiligjore.

Aigest Milo, partner ekzekutiv në kompaninë ligjore “KALO & ASSOCIATES”, thotë se mungesa e Gjykatës Kushtetuese është një faktor në theksimin e praktikave të gabuara në këto vite. “Mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, në tërësi është një problem shumë i madh, jo vetëm për këtë rast, por edhe për situata të tjera. Prej 3 vitesh e gjysmë, në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese nuk funksionon (deri në vitin 2017 janë marrë vendime, pasi ishte kuorumi i anëtarëve.)

Problematika nisi në mesin e vitit 2017, kur disa prej anëtarëve u përfundoi mandati, kurse të tjerë u hoqën me ligjin e vetting-ut. Që nga ky moment, kjo gjykatë mbeti pa vendimmarrje, gjë që ka krijuar shumë problematika, pasi shumë ligje të miratuara nga Parlamenti kanë qenë qartazi kundër parimeve kushtetuese, por askush nuk kishte ku të ankohej.

Në rastin e udhëzimit nr.44 “Për procedurat tatimore”, ekzistenca e kësaj gjykate nuk do të ndikonte, pasi shfuqizimi i akteve normative nënligjore është kompetencë e Gjykatës Administrative të Apelit. Ndërsa për ligjet është shumë i vlefshëm funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi është i vetmi organ që i shfuqizon kur ato janë në kundërshtim me Kushtetutën”.

Kryetari i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, Alban Isteri, pohon se mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një mangësi tjetër dhe një arsye më shumë që Ministria e Financave nuk duhet të marrë vendime të pakonsultuara me grupet e interesit. Edhe për përfaqësuesin e Shoqatës të Fasonëve, Edvin Premçe, mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dha efektin e pritshëm, duke parë filtrimin e nevojshëm në institucionet ligjvënëse. “Shpresojmë që sa më shpejt të krijohen premisat e kalimit të këtij kolapsi dhe të vendoset në praktikë ligji, njësoj për të gjithë”

Gjykata Kushtetuese

“Mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, në tërësi është një problem shumë i madh, jo vetëm për këtë rast, por edhe për situata të tjera. Prej 3 vitesh e gjysmë, në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese nuk funksionon (deri në vitin 2017 janë marrë vendime, pasi ishte kuorumi i anëtarëve.) Problematika nisi në mesin e vitit 2017, kur disa prej anëtarëve u përfundoi mandati, kurse të tjerë u hoqën me ligjin e vetting-ut. Që nga ky moment, kjo gjykatë mbeti pa vendimmarrje, gjë që ka krijuar shumë problematika, pasi shumë ligje të miratuara nga Parlamenti kanë qenë qartazi kundër parimeve kushtetuese, por askush nuk kishte ku të ankohej”.

Aigest Milo, partner ekzekutiv në kompaninë ligjore “KALO & ASSOCIATES”

Pse e kundërshtoi biznesi udhëzimin për bllokimin e llogarive

Shoqata Proeksport Albania, përfaqësuese e prodhuesve të veshjeve dhe këpucëve, është një ndër firmëtaret, ashtu si dhe rreth 21 shoqata të tjera përfaqësuese në vend që, në letrën drejtuar ministrave Denaj dhe Shalsi, kërkuan shfuqizimin e udhëzimit për bllokimin e llogarive bankare të administratorëve. Edvin Premçe shpjegoi për “Monitor” dy aspekte shumë të rëndësishme pse e kundërshtoi plotësisht nismën e Ministrisë së Financave.

“Ky udhëzim ndryshon formën ekzistuese të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, duke humbur identitetin e saj bazuar deri tani në ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndërkohë u jepte organeve tatimore thjeshtësinë që nuk duhet të kenë për bllokimin ose sekuestrimin e pasurive (në rast se do t’u drejtoheshin organeve gjyqësore për një vendim të tillë, kishin edhe barrën e provës për atë që kërkojnë), duke i hapur rrugën e thjeshtë, arsyetimit personal të inspektorit tatimor të radhës.

Prekja e sektorit tonë nga ky udhëzim do të ishte fatale, pasi edhe për shkak të pandemisë dhe krizës ekonomike, shumë biznese do të mbyllen (duke pasur detyrime të ndryshme në Drejtoritë Tatimore) dhe shumë punëmarrës do të dilnin në rrugë, automatikisht kjo do t’i sillte edhe shtetit rënie të të ardhurave. Ne mbetemi për dialog dhe diskutimin e problematikave.

Detyrimet nga taksat patjetër duhen shlyer nga të gjithë, pa përjashtim dhe mbështesim çdo vendimmarrje e arritur me konsensus të gjerë, duke pasur si objektiv zhvillimin e biznesit aktual dhe prurjeve të investitorëve të rinj në Shqipëri.”

Sipas Alban Isterit, kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Durrës, udhëzimi linte shteg për abuzime dhe përzgjedhje të administratës tatimore. “Llogaritë personale të ortakëve dhe administratorëve nuk mund të bllokohen pa vendim të formës të prerë të gjykatës. Udhëzimi sanksiononte të drejtën e administratës tatimore për bllokimin e llogarive, madje duke dalë mbi ligjin ‘Për procedurat tatimore’ dhe atë ‘Për shoqëritë tregtare’.

Kjo binte ndesh edhe me funksionin juridik të një shoqërie, pasi Drejtoria e Tatimeve nuk mund të bëjë përgjegjës të gjithë për një gabim që nuk e kanë bërë. Po ashtu, udhëzimi krijonte pabarazi tek ortakët rezidentë dhe ata që jetojnë jashtë Shqipërisë. Pra penalizoheshin ata që jetojnë në Shqipëri, pasi llogaritë e një shtetasi të huaj nuk mund të bllokohen”.

Ndryshimet në udhëzim u kërkuan edhe nga Shoqata e Bankave, pasi siç pohoi Sekretari i Përgjithshëm, z. Spiro Brumbulli, zbatimi i tij do të krijonte klimë pasigurie tek investitorët e huaj.

“Në ndryshimet e udhëzimit ‘Për procedurat tatimore’, propozimet e Shoqatës së Bankave, në shumicë, janë marrë në konsideratë dhe përmirësimi i tyre është reflektuar në udhëzimin e ri. Por kishte mbetur i pandryshuar paragrafi i bllokimit të llogarive bankare për aksionerët dhe administratorët, ku thuhet se: ‘..administrata tatimore e transferon detyrimin tatimor të mbetur të subjektit tek ortaku, aksioneri dhe administratori. Për këtë qëllim, fillimisht administrata tatimore garanton mbledhjen e detyrimit nëpërmjet vendosjes së urdhër-bllokimit mbi llogaritë dhe depozitat e ortakëve, aksionerëve dhe administratorët e subjektit dhe më pas, zbaton ndaj tyre masat shtrënguese të mbledhjes me forcë…’.

Për këtë paragraf të udhëzimit, parimisht u ra dakord në grupin e punës, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Financave, me propozimin nga Shoqatat e Biznesit që të bëhet ndryshim, por në botimin në Fletoren Zyrtare nuk ka ndryshuar gjë për këtë. Kjo pikë e udhëzimit krijon pasiguri tek investitorët dhe sipërmarrësit e çdo lloj kategorie.

Nëse do të mbetet siç është miratuar, atëherë klima e biznesit përkeqësohet. Do të ketë më shumë arbitraritet dhe pasiguri. Shoqata e Bankave është e interesuar të kontribuojë në përmirësimin e klimës të të bërit biznes. Prandaj është e domosdoshme që ky paragraf i udhëzimit që penalizon ortakët, aksionerët dhe administratorët, të ndryshohet.”

Brumbulli thekson se detyrimet tatimore janë të rëndësishme dhe duhet të shlyhen nga të gjithë, por për rastet kur administrata tatimore ka dyshime të bazuara, që për detyrimet e papaguara të biznesit është bërë shkelje nga aksionerët, ortakët apo administratori, duhet t’i drejtohet gjykatës. “Ne mbështesim çdo masë ndaj kujtdo që nuk shlyen detyrimet sipas ligjit, por kjo të bëhet me vendim të formës të prerë të gjykatës, jo me vendim të administratës tatimore.

Pra, bllokimi i llogarive nuk mund të bëhet me vendim të DPT, në çfarëdo niveli të strukturës së saj, por me vendim gjyqësor për rastet e transferimit të përgjegjësive për mosshlyerje të detyrimeve”, theksoi përfaqësuesi i Shoqatës së Bankave. Zbatimi i udhëzimit për bllokimin e llogarive bankare të administratorëve, nga administrata tatimore, pa vendim gjykate, edhe për kryetarin e Shoqatës së Bimëve Aromatike dhe Medicinale, Filip Gjoka, do të sillte abuzime dhe përkeqësim të klimës së biznesit./Marre me shkurtime nga Monitor

© SYRI.net