“Është koha e të rinjve”, Monika Kryemadhi: Momenti për të lënë pas dështimet, të realizojmë ëndrrën e tyre europiane

228

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se është koha e të rinjve.

Kryemadhi thekson se ky është momenti i duhur për t’u integruar në Europë.

Postimi i kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi:

30 vjet më parë, rinia e Shqipërisë ndezi një shpresë të re duke i dhënë vendit tonë një drejtim të ri. Kurajoja dhe vizioni i tyre çeli rrugën e afrimit të vendit tonë me familjen Europiane.

Ashtu si të rinjtë e 30 viteve më parë, është rinia e sotme që mund t’i japi Shqipërisë drejtimin e ri për të cilin kemi nevojë. Një Shqipëri ku kushdo gjen shpresë, ku të gjithë kanë mundësi për punësim të mirëpaguar, ku çdo shqiptar ëndërron ta bëjë Shqipërinë shtëpinë e tij.

Unë do të vazhdoj të mbështes të rinjtë, jo vetëm me fjalë por me veprime, sepse është rinia e sotme që do të krijojë një të nesërme më të mirë në Shqipëri. Ne duhet të punojmë për të mbështetur fort brezin e ri dhe t’i japim atyre të gjitha mundësitë që kanë nevojë për të qëndruar në Shqipëri.

Kemi nevojë për ndihmën e brezit të ri, që ta ndihmojë Shqipërinë të distancohet nga dështimet dhe që misioni kombëtar ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’, i cili ka 30 vjet që kumbon si thirrje, të mos përplaset më në murin e një politike që nuk dëgjon, por vetë ata të ndërtojnë Shqipërinë shtëpi të tyre.

Shqipëria duhet të flasë më shumë me zërin e të rinjve të mrekullueshëm që kemi!

Është koha e tyre!

Le t’i dëgjojmë!