Kryeministrat shqiptar që udhëhoqën Perandorinë osmane

134

Shqiptarët janë shquar në histori për trimërinë dhe mençurinë e tyre. Udha e tyre në karrierë është tashmë e njohur për historiografinë botërore.

Duke qenë pesëqind vjet nën zgjedhën e Perandorisë otomane shqiptarët fillimisht do të mbroheshin me në krye Skënderbeun dhe më pas dalëngadalë do ndërronin fenë e tyre dhe do islamizoheshin.

Por në Perandorinë osmane ata do bënin emër të madh. Do ngjiteshin në majat më të larta të karrierës duke mbajtur postet më të larta deri në atë të kryeministrit, vezir siç quhej në atë kohë. Ata me trimërinë e tyre nën udhëheqjen e shqiptarëve do i dhuronin perandorisë shtimin e territoreve të perandorisë si Irakun,

Kostandinopojën, Anadollin, Jemenin , Egjiptin, Algjerinë, Sirinë, Kretën, Krimenë etj. Ja cilët ishin vezirët e mëdhenj shqiptarë që u rritën në oborrin e sulltanëve , do martoheshin me motrat dhe bijat e tyre dhe do shkëlqenin si kryeministra…

Gjedik Ahmet Pasha: Kryeministër i perandorisë me origjinë shqiptare në vitet 1475-1479. Daut Pasha: Sipas Samiut tonë të madh ishte me origjinë shqiptare dhe ishte marrë rob që fëmijë. Në vitin 1483 në kohën e sultan Bajazitit kaloi në postin e kryeministrit dhe arriti të drejtojë me sukses punët e rëndësishme të shtetit Osman.

Haim Ahmet Pasha: Kryeministër me origjinë shqiptare nga vitet 1496-1514. Ahmet Pashë Dukagjini: Ishte kryeministër nga vitet 1514 deri në vitin 1515 dhe rrjedh nga familja e madhe e Dukagjinëve. Ibrahim Pasha: Ishte me origjinë nga Butrinti, por ka studiues që thonë nga Parga e Çamërisë.

Sic ndodhte shpesh në ato kohë sulltani e mori të vogël në një ekspeditë ushtarake dhe e rriti në pallatin e tij së bashku me të birin, dhe Sulejmani në 1520 bëhet Sulltan dhe shokun e tij e bën kryeministër. Do të martohej me motrën e sulltanit me një dasmë madhështore.

Ajaz Mehmet Pasha: Qe kryeministër në vitet 1536-1539 pas vdekjes së Ibrahimit. Ishte nga Vlora dhe kishte lindur në Vuno. Lutfi Pasha: Qeverisi si kryeministër në vitet 1539-1541. Ishte me origjinë nga Vlora, nga ku osmanët e morën që të vogël.

Rustem Pasha: Kryeministër i perandorisë me origjinë shqiptare, që qeverisi në vitet 1544-1552 dhe për herë të dytë, në vitet 1555-1560 pas vdekjes së Kara Ahmet Pashës, pra ai qeverisi perandorinë për 13 vjet.

Kara Ahmet Pasha: Atë e morën të vogël nga trojet shqiptare dhe e rritën në pallatin e sulltanit, ku mori dhe edukimin e nevojshëm për të qenë një qeveritar dhe ushtarak i zoti. Sulltani i dha të motrën për grua,

ashtu siç bënin shpesh sulltanët me figura të mëdha e të forta të shtetit. Semiz Ahmet Pasha: Ishte kryeministër me origjinë shqiptare gjatë viteve 1579-1580. Ai mori për grua të bijën e ish-kryeministrit Rustem Pasha.

Hoxha Sinan Pasha :Ka qenë kryeministër i perandorisë 5 herë në vitet 1580-1582; 1584-1585; 1589-1591; në 1593; 1595-1596. Ka lindur në Topjanë të Lumës, pra ishte shqiptar dhe u rrit në pallatin e sulltanit. Gjatë karrierës së tij ka shërbyer si qeveritar në Tripoli të Libisë dhe në Damask të Sirisë.

Ai ka meritën që nënshtroi përfundimisht Jemenin të cilin pjesërisht e kishin nënshkruar dy shqiptarë të tjerë. Me pushtimin e Jemenit perandoria doli në detin Arabik.

Në vitin 1580 drejtoi vetë fushatën ushtarake kundër Persisë dhe Hungarisë, edhe pse ishte në moshë të thyer. Ai mori pjesë edhe në një luftë tjetër kundër Austrisë, e cila përfundoi me marrëveshje paqeje, por pas vdekjes së tij. Vendlindjes së tij, Lumës, i lehtësoi taksat dhe detyrimet, gjithashtu ngriti në Kaçanik një kështjellë dhe një xhami.

Ferad Pasha: Edhe ai si kryeministrat e tjerë shqiptarë u rrit në pallatin e sulltanit ku mori edukimin e nevojshëm. Qe kryeministër gjatë viteve 1591-1592 dhe në vitin 1595. Merre Husein Pasha: Ishte me origjinë shqiptare. Shërbeu si kryeministër në vitet 1601-1602, pra për një kohë të shkurtër. Jemishxhi Hasan Pasha: Sipas Sami Frashërit është me origjinë shqiptare. (Sami Frashëri… f.komp.45).

Në vitin 1602-1603, ishte kryeministër i perandorisë. Kujxhu Murat Pasha: Ka qenë me origjinë shqiptare. Ishte kryeministër gjatë viteve 1606-1611, pra për rreth 5 vjet. Nasuh Pasha: Ishte shqiptar dhe qeverisi si kryeministër në vitet 1611-1614 vite gjatë të cilave mbretëroi një gjendje paqeje pa luftra të mëdha.

Ohril Hysein Pasha: Ai lindi në zonën e Pogradecit, dhe vdiq në vitin 1622. U rrit në pallatin e sulltanit dhe më pas u bë komandant i jeniçerëve, dhe qeveritar i Rumelisë. Mori gradën vezir dhe shërbeu si kryeministër gjatë vitit 1621.

Hasan Pasha: Ai ishte me origjinë shqiptare. U mor i vogël dhe u edukua në oborrin e sulltanit. Në fillim ka qenë bejlerbej i Rumelisë, pastaj vezir i gradës së ulët deri sa u bë vezir i madh ose kryeministër në vitin 1624.

Taban Mehmet Pasha: Ishte kryeministër me origjinë shqiptare i perandorisë në vitet 1631-1637, pra për 5 vjet. Pas detyrës u burgos dhe u ekzekutua, sepse kështu bënin shpesh sulltanët. Mustafa Pashë Kamekeshi: Lindi në Vlorë, dhe hyri në ushtrinë osmane me anë të sistemit të devishermes.

U dallua si kryekomandant në rrethimin e Irakut dhe vetë sulltan Murati IV e caktoi vezir të madh dhe qeverisi vendin në vitet 1637-1644. Xhixhan Mehmet Pasha: Me origjinë shqiptare nga i ati, ndërsa nga e ëma nga familja e sulltanit. Ai u rrit dhe u edukua në oborrin e sulltanit, dhe qeverisi në vitet 1644-1645.

Tarhanxhu Mustafa Pasha: Ishte me origjinë nga Mati dhe qeverisi vendin në vitet 1652-1653. Qypyrli Mehmet Pasha: Ishte shqiptar nga Berati, lindur në një familje të varfër dhe kishte punuar si kuzhinier i sulltanit.

Ai nuk kishte arsim, madje, ishte analfabet, nuk dinte të shkruante dhe të lexonte. Por edhe pse i pashkolluar, kishte cilësi të tjera që e bënë kryeministër të perandorisë në vitin 1656-1661, në moshën 75-vjeçare. Para se të bëhej kryeministër, kishte punuar si qeveritar i Damaskut, Jerusalemit dhe Tripolit.

Ai e mori pushtetin duke i vendosur disa kushte sulltanit si; të zgjidhte vetë ndihmësit e bashkëpunëtorët e tij në qeverisje dhe të ishte i lirë në qeverisjen e vendit, gjë që s’e kishte bërë asnjë kryeministër deri në atë kohë. Duke qenë se vendi ishte në krizë ai balancoi buxhetin e shtetit duke vënë dorë në arkën e vakëfeve të sulltanit.

Forcoi disiplinën në ushtri e cila kishte filluar të çartej dhe të humbiste betejat, rriti efikasitetin e flotës ushtarake. Gjatë qeverisjes së tij mundi Venedikun, dhe drejtoi fushatën ushtarake në Poloni. Vendosi qetësinë në vend duke vrarë me mijëra vetë që nuk i bindeshin dhe midis tyre partiarkun ortodoks të Stambollit.

Fazlli Ahmet Pasha Qypyrliu: Pas vdekjes së Mehmetit vendin e tij e zuri i biri Fazlliu, që qeverisi për një kohë prej 15 vjetësh nga 1661-1676. U edukua në Stamboll dhe ishte më pak i ashpër se sa i ati. Karrierën e filloi si vali i Damaskut dhe pastaj si kryeministër në një moshë të re 26-vjeçare.

Në politikën e jashtme u mor me Austrinë, të cilën gjeneralët shqiptarë nuk e kishin thyer dot. Ai pushtoi kështjellat rreth Vjenës, dhe po përgatitej të pushtonte dhe vetë kryeqytetin Austriak, gjë që tmerroi Evropën. Me gjithë përpjekjet e mëdha nuk arriti të pushtojë Vjenën.

Gjatë qeverisjes së tij pushtoi tërësisht Kretën, pasi shqiptari që e pushtoi për herë të parë kishte lënë disa kështjella pa pushtuar dhe në vitin 1666 ripushtoi Jemenin i cili ishte pushtuar më parë nga 2 kryeministra shqiptarë, por që nga 1635 ishte shkëputur nga perandoria.Vdiq në moshën 46-vjeçare, në vitin 1676 nga një sëmundje e pashërueshme.

Fazlli Mustafa Pashë Qypyrliu Ishte djalë i dytë i Mehmet Qypyrliut dhe ngjiti shkallët e karrierës shumë shpejt me ndihmën e të afërmve, por dhe me meritat e veta. Në vitin 1690-1691 u emërua kryeministër në një kohë kur Austria, gjatë mungesës së shqiptarëve, në qeverisje, nga 1676 deri në 1690, pra për 14 vjet kishte mundur ushtrinë osmane në vitin 1683 dhe kishte marrë territore të mëdha në Ballkan.

Në krye të një ushtrie mundi austriakët dhe rimori territoret në Danub, Nishin dhe Beogradin. Ai trajtoi shumë mirë të krishterët dhe popullsinë jomyslimane të perandorisë, ashtu siç kanë bërë historikisht shqiptarët. Ali Pashë Arabxhiu: Lindi në Ohër. Hyri në ushtri si jeniçer dhe përfundoi si komandant i jeniçerëve.

Më vonë u bë komandant i rojeve në oborrin e sulltanit. Në vitin 1691 bëhet kryeministër deri në 1692. Hysen Qypyrliu: Me origjinë nga familja e madhe e Qypyrlinjëve, kushëri i parë me bijtë e Mehmet Qypyrliut. Në fillim qe ministër i marinës, dhe pas mbrojtjes së Beogradit kundër austriakëve, u bë kryeministër në vitet 1697-1702.

Dalltaban Mustafa Pasha: Ishte shqiptar i lindur në Manastir, i cili ngjiti shkallët e karrierës në sajë të aftësive të tij politiko-ushtarake. Nga jeniçer në komandant të jeniçerëve. Ai qeverisi në disa vilajete si në Bagdad, Bosnjë dhe Anadoll. Qeverisi vendin si kryeministër në vitet 1702-1703.

Numan Pashë Qypyrliu: Me origjinë nga familja e Qypyrlinjëve, ishte nipi i Mehmet Qypyrliut, dhe qeverisi shtetin në vitin 1710. Para se të bëhej kryeministër në vitin 1708 u martua me të bijën e sulltanit. Haxhi Halil Pashë Shqiptari: Ishte nga Elbasani. Ai ngjiti shkallët e karrierës me mundim dhe punën e vet, duke kryer disa detyra si komandant ushtarak e qeveritar, deri sa në vitin 1716 u bë kryeministër.

/marre nga 123albania.info/