‘Ka mundësi të mos ketë marrëveshje me BE-në’/ Johnson flet pas takimit në Bruksel

190

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se ka “mundësi të madhe” që Mbretëria e Bashkuar të dështojë të arrijë marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian, pas daljes nga blloku.

Johnson tha se “është koha” që bizneset dhe publiku të përgatiten për këtë rezultat, edhe pse negociatorët do t’i vazhdojnë bisedimet.

Ai i bëri komentet pas një takimi që zhvilloi të mërkurën me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, rreth marrëveshjes së mundshme.

Dallimet e mëdha të negociatorëve thuhet se lidhen me dy fusha: rregullat e konkurrencës dhe të drejtat e peshkimit.

Britania ka dalë nga BE-ja më 31 janar, por ka vazhduar tregtinë me bllokun nën të njëjtat kushte.

Kjo periudhë e tranzicionit përfundon më 31 dhjetor.

Dështimi për të arritur marrëveshje tregtare para 31 dhjetorit mund të krijojë kaos në kufij, për shkak të tarifave dhe masave të tjera.

Ky skenar do t’i lëkundte gjithashtu tregjet financiare dhe zinxhirët e furnizimit në të gjithë Evropën.

Johnson tha se propozimet e BE-së nënkuptojnë që Britania, pavarësisht daljes nga blloku, të detyrohet të mbetet “binjake” e tij.

BE-ja dëshiron ta mbajë Britaninë “të mbyllur” në sistemin e saj ligjor”, tha Johnson, raporton BBC.

Bisedimet midis kryenegociatorit britanik, Lord Frost, dhe homologut të tij në BE, Michel Barnier, rinisën të enjten në Bruksel dhe janë duke vazhduar ende.

Duke arritur të enjten në një samit të BE-së, von der Leyen tha se kushtet për marrëveshje tregtare me Britaninë duhet të jenë “të drejta për punëtorët tanë dhe kompanitë tona”./ REL/