Shpenzimet marramendëse të fëmijëve të politikanëve: Nga jahti i djalit të Ilir Metës, te luksi i fëmijëve të deputetëve të PS, PD, LSI dhe Llallës

838

Në Shqipëri të gjithë e dinë se sa pasuri ka vëllai, kushuriri, krushku e deri tek komshiu që nuk kanë asnjë lidhje gjaku apo miqësie me njëri tjetrin.

“Sporti” më i preferuar i shqiptarëve është ai i bërjes së llogarive financiare dhe gjithçkaje të njeriut që ka afër, përballë apo dhe në fund të botës.

Madje nuk ngurojnë të deklarojnë se “deri më dje ishin pa brekë në bythe dhe tashmë janë milionerë” apo “deri në vitin 1990 të gjithë kishim një prerje, një kostum që shpesh e këmbenim me njëri tjetrin, dhe tani s’dihet ku e kanë pasurinë pa bërë asnjë punë”.

Nuk është thjeshtë zakon shqiptari, por varfëria dhe diferencimi i shpejtë dhe i tejskajshëm ka bërë që gjithkush të bëjë një analizë të vetes, por dhe të njerëzve që e rrethojnë.

I përmendëm këto detaje, të njohura për të gjithë shqiptarët, pasi gjendemi një një situatë verifikimi pasurie dhe Vettingu për politikanët, për prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë shqiptarë.

Shpesh organet ligjzbatuese shqiptare ngrenë supet dhe dorëzohen përballë mungesës sipas tyre, të mundësisë për të verifikuar pasurinë e politikanëve shqiptarë, të njerëzve të drejtësisë apo dhe të zyrtarëve të lartë.

Në fakt dhe drejtësia amerikane nuk verifikoi dot me dokumente, prova dhe fakte asnjë lloj krimi të superbosit të mafias amerikane Al Capone, por u përqëndrua tek detajet.

Të gjithë e dinë se Al Capone ra në burg dhe u dënua nga gjykata amerikane thjeshtë dhe vetëm për evazion fiskal, për të mos dalë më me këmbët e veta nga qelia.

Ndaj dhe organet ligjzbatuese shqiptare e kanë shumë të lehtë të verifikojnë pasurinë e politikanëve, zyrtarëve të lartë, prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Mjafton që kreu i Inspektoratit të Pasurisë Shkëlqim Ganaj të mos konsumojë një drekë me Ilir Metën në resortet turistike në bregdetin e jugut, por të vihet vetë në krye të punës, pasuria e politikanëve do verifikohet në një farë mase. Thjeshtë sa për të pasur atë ‘detajin’ e Al Capones.

Më konkretisht, resortet turistike tashmë në verë mbahen me paratë që shpenzojnë fëmijët e politikanëve, të prokurorëve, gjyqtarëve, zyrtarëve të lartë dhe bankierëve, Presidentëve dhe ish presidentëve. Pa përjashtuar ata të trafikantëve dhe njerëzve të krimit, të kuptohemi.

Madje ata lëvizin dhe me jahtet e tyre apo të familjeve të tyre, me makina luksoze dhe bëjnë shpenzime marramendëse, duke bërë që plazhet e jugut të dominohen prej tyre. Por dhe të “eskortave” që i shoqërojnë, të cilat që mbahen me para prej këtyre fëmijëve që, fati deshi të kishin prindër me pushtet.

Kështu, mjafton që Ganaj i Inspektoratit të Pasurisë të dalë një xhiro lokaleve luksoze në Dhërmi, Himarë, Ksamil e deri në Sarandë, Vlorë, Durrës, Shëngjin dhe Velipojë nuk ka nevojë të shqyrtojë asnjë dokument tjetër për pasurinë e këtyre shtetarëve, njerëzve të drejtësisë dhe zyrtarëve të lartë.

Të bëjë vetëm një shënim, i kujt është ky fëmijë dhe sa shpenzon në një natë, për ta “kryqëzuar” me rrogën e shtetit të këtyre politikanëve, zyrtarëve të lartë, prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, dhe bëhet një far Vettingu. Duke filluar nga këto detaje të vogla, njësoj si me Al Kaponen në Amerikë para më se pesë dekadash.

Të shohë që djali i Ilir Metës presidentit tonë të “nderuar” dhe Monika Kryemadhit kryetares së LSI, lëviz me një jaht luksoz të familjes, bashkë me miqtë e tij minorenë pasunarë.

Të shohë djalin e deputetit të PS Spartak Braho me pesë makina apo vajzën e deputetit të PS Sadri Abazi. Por dhe djalin i ish deputetit të ndjerë Azem Hajdari dhe gjyqtares Fatmira Hajdari. Azem Hajdari Junior është vetëm 19-vjeç por ka arritur që tani që të depërtojë në botën e fuqishme të Instagramit dhe rrjeteve sociale si një pasunar i ri që bën jetë luksoze.

Të shohë dy djemtë ish ministrit dhe deputetit të LSI Edmond Panariti, të cilët rezultojnë me llogari bankare në Holandë dhe Britaninë e Madhe dhe që bëjnë jetë luksoze andej dhe këndej kufirit. Të shohë jetën luksoze të djalit të deputetit të PD Xhemal Gjunkshi, i cili bën qejf me paratë që i ati rropi nga komandot shqiptare që shkonin në Afganistan, ku për një mision 6 mujor u merrte Xhemali 7 mijë dollarë për person. Nuk e themi ne, e ka thënë ish ambasadori amerikan për DASH në kabllogramet e tij, që janë bërë publike.

Për të mos folur për djalin e Sali Berishës dhe bashkëjetueses së tij Armina Mevlani, që nga 365 ditë kalendarike që ka viti, 260 ditë i bëjnë në resortet turistike më të shtrenjta të botës.

Të shohë dhe djalin e ish-deputetit të PS-së, Ndue Kola, Arnold Kola që aksidentoi vitin e kaluar për vdekje një oficer policie në bulevardin e Kamzës dhe është dënuar me dy vjet burg.

Dhe që nuk i bëri “ujë” syri, pasi ka prapa babain sponsor me lekë. Apo vajzën e ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, e cila bën jetë luksoze dhe shpenzime marramendëse, me makina luksoze dhe që tashmë po ia bën “fora” me shoqërinë në bregdetin e jugut.

Por dhe vajza e kryebashkiakut socialist të Tepelenës Tërmet Peçi, e cila si një vajzë minorene që është bën jetë luksi, në makina luksi dhe me shpenzime marramendëse. Me një baba rrogtar kryebashkiak që nuk e kalon rroga e tij 700 mijë lekshin e vjetër në muaj, gjithsesi.

Pa përmendur këtu dhëndërrin dhe vajzën e Qazim Sejdinit apo djalin e ish Guvernatorit të BSH Ardian Fullani, të cilët nuk mbeten prapa në shpenzime marramendëse.

Shumica e prindërve të këtyre fëmijëve janë rrogtarë të shtetit zyrtarisht, por që fëmijët e tyre konsumojnë në një ditë aq sa prindërit e tyre fitojnë minimumi në një muaj.

Këtu të fillojë vettingu për verifikimin e pasurisë, tek fëmijët konsumatorë dhe që bëjnë jetë luksoze, për të mbërritur tek politikanët, gjyqtarët, prokurorët dhe zyrtarët e lartë. Thjeshtë të përqëndrohen në këto detaje të vogla, pasi “djalli” në detaje fshihet.

Mund të verifikojnë dhe shpenzimet që këta fëmijë rrogtarësh kanë në një vit shkollë në universitetet më të shtrenjta të botës. Kjo është kollaj fare. Vetëm pak vullnet duhet./Pamfleti