Ku dhe si mund të udhëtojnë shqiptarët per pushime? Ja çfarë kërkon Italia, Gjermania e Greqia..

102

Pas vendimit të fundit te BE-së për të lehtësuar lëvizjen e lirë për vendet e Ballkanit Perëndimor, deri më tani, ben te ditur Vizion Plus, i vetmi shtet ku shqiptarët mund të udhëtojnë lirisht dhe pa pasur nevojën të paraqesin asnjë test, vak sinë apo qoftë dhe motiv të fortë, është Holanda.

Ky shtet i ka hapur kufijtë për të gjithë shqiptarët të cilët dëshirojnë të udhëtojnë qoftë edhe për turizëm, pa asnjë pengesë. Mjafton që të plotësohet një formular vetëdeklarimi në aeroport.

Lehtësira ka ofruar dhe Austria e cila lejon turistet, por vetëm me një test PCR, ose një vërtetim që keni kaluar Covid-19, ose një certifikatë vaksine, ku përfshihet edhe vaksina kineze.

Po ashtu fëmijët deri në moshën 10 vjeç, që udhëtojnë nën kujdestarinë e një të rrituri, përjashtohen nga paraqitja e vërtetimeve. Regjistrimi i formularit paraprak, është i nevojshëm vetëm për shtetasit shqiptarë që kanë udhëtuar në 10 ditët e fundit në shtete të tjera. Por gjithsesi, rekomandohet që ky formular online të plotësohet nga të gjithë shtetasit.

Greqia, ndryshe nga Austria kërkon shtesë edhe një formular PFL, i cili plotësohet disa ditë përpara udhëtimit, në mënyrë që autoritetet greke të jenë në dijeni të vendndodhjes tuaj. Por deri më tani, në pikat e kalimit kufitar tokësorë me Shqipërinë, lejohet kalimi i një numri të kufizuar qytetarësh, kufizim ky që pritet të hiqet pas datës 28 Qershor.

Edhe Gjermania ka lehtësuar masat duke lejuar udhëtimet nga Shqipëria për çdo motiv, por ashtu si Austria kërkohet testi, dëshmia e kalimit të koronavirusit ose certifikata e vaksinimit. Në këtë rast Gjermania njeh vetëm vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave. Njësoj si Gjermania, edhe Zvicra ka të njëjtat kushte për të udhëtuar drejt këtij shteti.

Ndërkaq, deri më tani Italia është i vetmi vend fqinj i Shqipërisë, i cili nuk lejon ende udhëtimet për arsye turistike, por pritet që gjatë ditëve në vijim të ketë dhe një lehtësim masash nga ky shtet.