Në Shqipëri i shembin, ndërtesën 5-katëshe në Shangai e bëjnë “të ecë” (VIDEO)

84

Banorët e Shangait që kalojnë nëpër rrethin lindor të qytetit Huangpu në tetor mund të kenë rastisur në një pamje të pazakontë: një ndërtesë “në këmbë”.

Një shkollë fillore 85-vjeçare është ngritur nga toka – në tërësinë e saj – dhe është zhvendosur duke përdorur teknologjinë e re të quajtur “makina e ecjes”.

Në përpjekjen më të fundit të qytetit për të ruajtur strukturat historike, inxhinierët bashkangjitën gati 200 mbështetës të lëvizshëm nën ndërtesën pesëkatëshe, sipas Lan Wuji, mbikëqyrësi kryesor teknik i projektit.

Mbështetësit veprojnë si këmbë robotike. Ata janë të ndarë në dy grupe të cilat ndaras ngriten lartë e ulen poshtë, duke imituar hapat njerëzor. Senzorët e bashkangjitur ndihmojnë në kontrollin se si ndërtesa lëviz përpara, tha Lan, kompania e të cilit Shanghai Evolution Shift zhvilloi teknologjinë e re në 2018.

Sipas një deklarate nga qeveria e rrethit Huangpu, Shkolla Fillore Lagena u ndërtua në vitin 1935 nga bordi komunal i ish-Koncesionit Francez të Shangait. Ajo u zhvendos në mënyrë që të krijojë hapësirë për një kompleks të ri komercial dhe zyre, i cili do të përfundojë deri në 2023.

Punëtorët duhej të gërmonin së pari rreth ndërtesës për të instaluar 198 mbështetësit e lëvizshëm në hapësirat poshtë, shpjegoi Lan. Pasi shtyllat e ndërtesës u cunguan, “këmbët” robotike u zgjatën më lart, duke ngritur ndërtesën përpara se të lëviznin përpara.

Gjatë 18 ditëve, ndërtesa u rrotullua 21 gradë dhe u zhvendos 62 metra më tutje në vendin e saj të ri. Zhvendosja përfundoi në 15 tetor, me ndërtesën e shkollës së vjetër që u bë një qendër për mbrojtjen e trashëgimisë dhe edukimin kulturor.

Projekti shënon herën e parë që kjo metodë “makine ecjeje” është përdorur në Shangai për të zhvendosur një ndërtesë historike, tha deklarata e qeverisë.