8 orë gjumë, më pak ose më shumë: Kur duhet të bëheni merak për shëndetin

84

Në një botë kaq të shpejtë, ideja për të bërë gjumë të mirë duket utopike. Gjumi cilësor luan një rol të rëndësishëm si në shëndetin fizik ashtu edhe në atë mendor. Nëse nuk flini mirë, atëherë mund të keni dëme në shëndetin tuaj në planin afatgjatë.

Trupi i gjithsecilit është i ndryshëm dhe sasia e gjumit që na duhet ndryshon. Mjekët bien dakord se të rriturve të shëndetshëm u duhen 7-8 orë gjumë, në mënyrë që të zgjohen të freskët dhe me energji gjatë ditës.

Nëse dikush ka nevojë për më shumë se 8 orë gjumë që të ndihet i pushuar, atëherë mund të jetë një problem shëndetësor. Një shembull i zakonshëm është apnea e gjumit.

Njerëzit me apnea të gjumit mund të mos pushojnë kur flenë, që do të thotë se do të duhet të kalojnë më shumë kohë në shtrat për t’u ndjerë të çlodhur.

Gjumi i tepërt mund të jetë gjithashtu një shenjë e një gjendjeje të shëndetit mendor, siç është depresioni.

Njerëzit me depresion kanë shumë të ngjarë të përjetojnë lodhje dhe njerëzit me lodhje kronike kanë shumë të ngjarë të vuajnë nga depresioni, duke krijuar një rreth vicioz që mund të jetë i vështirë për t’u thyer.

Vlen të përmendet gjithashtu se shumë njerëz me ankth dhe depresion përdorin ilaçe që mund të shkaktojnë përgjumje. Kështu që nëse jeni duke marrë ilaçe kundër ankthit apo kundër depresionit dhe po flini më shumë sesa mesatarja, duhet të flisni me mjekun tuaj për avantazhet dhe disavantazhet e këtyre ilaçeve.

Ndjenja e lodhjes, pavarësisht gjumit 8 orë në natë, mund të jetë një simptomë e gjendjeve kronike si fibromialgjia, lupusi, sindroma e lodhjes kronike dhe sëmundja e Hashimotos. Kush mendon se po fle shumë dhe ndihet i përgjumur dhe i lodhur gjatë ditës, ai duhet të kryejë një vizitë te mjeku.

Ndërsa njerëzit që flenë 10 ose 12 orë në natë shoqërohen me një rrezik të shtuar për sëmundje zemre dhe vdekshmëri. Mos u fusni në panik nëse flini shumë, mjafton të vizitoheni te mjeku për të përcaktuar shkakun dhe zgjidhjet e mundshme.