‘Ua kam borxh, i mora paratë se nuk kisha asnjë të ardhur’/ Historia e një 30-vjeçari nga Tirana që emocionoi edhe gjyqtarët, se “vodhi për kurimin e babait”

107

Një 30-vjeçar u shpall fajtor nga gjykata, pasi shpërdoroi detyrën, duke mos dorëzuar të ardhurat ditore të mallrave të shpërndarë.

Ky veprim u pa nga pronarët e tij si një vjedhje në shpërdorim detyre, megjithëse i riu u lut dhe përpiloi një shkresë, përmes të cilës kërkoi ndihmë dhe po ashtu edhe kohë, duke këmbëngulur se ua njihte borxhin.

Por më pas, ai udhëtoi me makinën e punës, duke e përdorur mjetin në shkelje të etikës për t’u larguar drejt Gjermanisë.

Pasi policia me durim mblodhi dëshmitë e të dëmtuarve dhe më pas kërkoi të riun, që iu shmang për dy vjet, e mbajti çështjen hapur, derisa u bind se ai nuk do kthehej më në Shqipëri dhe për të provuar shkeljet e tij, futi në fashikull dëshmitë e pronarëve dhe të dhënat e GPS-it të mjetit, që tregon denstinaconin deri në Prishtinë, si vendin e fundit prej nga ku i riu mori avion për të ikur si emigrant.

Por edhe pse shuma që ai përvetësoi ditët e fundit, u përdorën prej tij për biletë udhëtimi apo për shkaqe mjekësore, nuk u konfirmuan qartë.

Megjithatë deklarata që ai lëshoi me shkrim, para punëdhënësve u mor parasysh si arsyeja se përse ai vodhi të ardhurat ditore dhe i vuri pikat mbi ‘I’.

Pikërisht duket se kjo deklaratë njohje borxhi, e ka prekur edhe gjyqtarin e çështjes që në përfundim të hetimit tre vjeçar, dha minimumin e dënimit.

Hetimet zgjatën tre vjet, pasi për një kohë të gjatë nga 2018, procedimi u pezullua nga policia, e cila gjatë 3 viteve e pati të pamundur të gjejë gjurmët e të dyshuarit, aktualisht me banim në Gjermani.

Megjithatë, gjyqtarët e prokurorët u prekën emocionalisht, sipas burimeve të Gazetasi.al, pikërisht nga deklarata e mëposhtme e të riut.

“I mora të ardhurat, pasi më duheshin për të operuar babain që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk kisha asnjë mundësi, nuk kisha asnjë të ardhur”, – kishte marrë përsipër fajësinë i dyshuari me inicialet B.H., që në përfundim të gjykimit, u shpall fajtor dhe u dënua me dy muaj burgim, nga 6 muaj që parashikon kodi penal.

Hetimi

Policia e konsideroi plotësisht të provuar vjedhjen, duke shpërdoruar detyrën e shoferit, i cili në 2018-ën, u denoncua pranë komisariatit numër 6 nga dy administratorë, por që hetimi i tij zgjati deri në qershor 2021, pasi i riu nuk gjendej.

“Nga hetimet e zhvilluara lidhur me këtë procedim, ka rezultuar se në datën 4 shtator 2018, në Komisariatin e Policisë nr.6 Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim penal shtetasi, D.V., i cili deklaron se ai është administrator i Kompanisë “A…”, me seli në Tiranë. Aktualisht, një degë e kësaj kompanie, është në adresën Kodër-Vorë dhe ka të punësuar 64 persona, të cilët merren me shpërndarjen e mallrave që porositen me shërbim postar. I pandehuri është i punësuar nga kjo shoqëri si drejtues mjeti, i tipit fugon “Fiat Dukato”, me targë AA..UI dhe bën dorëzime të ndryshme, duke bërë dhe arkëtimin përkatës sipas faturës. Ata kanë lidhur një kontratë të rregullt pune, datë 15.05.2017. Në këtë kontratë janë të pershkruara 20 pika, ku janë përcaktuar detyrat e shoferit“, pretendon i dëmtuari në atë kohë, pasi i punësuari iku në drejtim të paditur, meqënëse ishte konstatuar që kishte përvëtësuar një shumë ditore të ardhurash, duke mos i dorëzuar në arkë.

Duke detajuar procedurën dhe detyrat e shoferit nën akuzë, pronari këmbëngul se çdo dërgesë shoqërohet me faturën përkatëse dhe ndërkohë, shoferit i viheshin në dispozicion edhe numrat e telefonit dhe adresat ku dërgohej malli. Pavarësisht korrektesës, për disa muaj me radhë, shoferit në fjalë , sipas asaj që ndodhi më vonë dhe që u mbajt shënim nga policia e zonës, drejtuesi i mjetit nuk dorëzoi të ardhurat për 29 artikuj me vlerë 479.050 lekë.

Pas këtij moment, i dyshuari është thirrur në mbledhje nga administratorët, duke pohuar se “nuk i kam dorëzuar lekët, pasi kam pasur babain në gjendje të rëndë dhe i përdora për mjekimin e tij“, – shkroi me shkrim dore i riu përpara punëdhënësëve.

Për këtë arsye, i riu ka dorëzuar në vendin e punës një deklaratë dore, ku premton se do t’i njihte si detyrim dhe do t’i paguante më vonë. Por pasi administratorët i kanë thënë të vijojë punën normalisht, ai ka humbur gjurmët gjatë fundjavës”.

Duke iu referuar dëshmisë së pronarëve, policia referon më tej : “Të hënën në mëngjes, adminstratorët kanë konstatuar se i pandehuri nuk është paraqitur në zyrë për të bërë likujdimet, por mjeti ka qenë i parkuar në ambientet e shoqërisë“.

I riu, sipas polcisë përdori gjatë fundjavës automjetin e punës dhe këtë e vërteton GPS-i për të udhëtuar drejt Kosovës dhe nga marrja në pyetje e të afërmëve të tij, konfirmohet se ai udhëtoi gjatë mesnatës drejt Kosovës, nga ku është larguar nga Prishtina drejt Gjermanisë.

Ky veprim ndodhi menjëherë, pasi ai përvetësoi shumën, ndërkohë që ka dyshime se makina u kthye në vendin e punës nga të afërmit apo të njohurit e të dyshuarit./GazetaSi