I ftuar në emisioni ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën, nënkryetari i PD-së Alfred Rushaj, komentoi situatën e brendshme politike të Partisë Demokratike, përplasjet mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha si edhe për përjashtimet e bëra në PD.
Rushaj theksoi se politika e brendshme e opozitës nuk është në ditët e saj më të mira, por sipas tij të gjithë palët e përfshirë kanë të njëjtin prioritet, atë të demokratëve, duke shtuar se kundërshtari i vërtetë i PD-së është kryeministri Edi Rama.
I pyetur për përplasjet politike mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të partisë Demokratike , Lulzim Basha, Rushaj tha se Berisha mbetet një lider historik. Sa i përket vendimit të Berishës për të shpallur datën për Kuvendin Kombëtar, nënkryetari i PD-së e vlerësoi si pjesë të axhendës së Berishës dhe se nuk sheh asnjë garë për kryetar, pasi kryetari i PD-së është zgjedhur tashmë.
Sa i përket përjashtimeve të bëra kryetari Basha, Rushaj theksoi se Flamur Noka nuk është përjashtuar sepse ka pasur mendime të kundërta me Bashën, por sepse ka deformuar deklaratat e bëra nga kreu i opozitës.
“Është larguar nga pozicioni i zv/kryetarit jo se ka shprehur mendime të kundërta me z.Basha por sepse në mënyrë të përsëritur, ka deformuar ato çfarë Basha ka thënë në mbledhje, dhe këtë e ka bërë me një qëllim që s’kanë të bëjnë me divergjencën e mendimeve të njëri apo tjetrit. Ai as nuk është larguar as përjashtuar”, tha Rushaj.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Si është situata brenda PD?
Rushaj: Të them që është rozë, apo në më të mirën e saj, nuk është. Ne kemi një problematikë të brendshme, që është publike. Mendoj që të gjithë palët e përfshirë në këtë diskutim duhet të kenë një prioritet, që është ai i demokratëve. Ne, organet drejtuese të PD, përfshi edhe grupin parlamentar, më shumë kemi përfituar se dhënë ndaj këtyre demokratëve. Sepse gjithmonë i kemi pas mbështetje, ndaj interesi i tyre duhet dhe do të jetë primar. Shpresoj dhe mendoj se gjërat do vinë duke u qetësuar që të fokusohemi të aksioni opozitar. kundërshtar ynë i vërtetë është Rama.
Pyetje: Berisha tha se do të shpallë datën për Kuvendin Kombëtar. Çfarë sjell kjo për demokratët dhe PD?
Rushaj: Berisha është lideri historik i demokratëve dhe involvimi i tij aktiv, ngjall interesin e demokratëve dhe ka vëmendjen e tyre. Çfarë ka thënë për çështjen e axhendës së tij kjo është histori tjetër. Nuk shoh të ketë garë për kryetar në sensin që ne kemi zgjedhur kryetarin para muajve.
Pyetje: Nëse mblidhet kuvendi…
Rushaj: Mblidhet Kuvendi, të shohim kur mblidhet, Çfarë do të jetë axhenda çfarë do të sjellë. Kush janë arsyet…
Pyetje: Çfarë prisni nga anëtarësia?
Rushaj: Së pari pres, dhe i kërkoj ndjesë për gjendjen ku ndodhet sot. Pres që së shpejti të mobilizohet për betejën politike të radhës, zgjedhjet lokale. Pavarësisht axhendës së z.Berisha nuk mendoj se jeta e qytetarëve është përmirësuar, përkundrazi. Zgjedhjet dhe beteja tjetër elektorale është një sfidë shumë e rëndësishme, për PD dhe anëtarësinë.
Pyetje: E gjithë kjo a është një çoroditje ?
Rushaj: Thash, nuk shoh të ketë garë për kryetar të PD. Te pjesa e dëmtimit, ky lloj diskursi brenda PD më bën të them që nuk është gjëja që do të ishte më e mira për PD, që anëtarët tanë janë të fokusuar te aksioni opozitar, pasi një pjesë e ha ky diskutim i brendshëm. Por është një situatë që nuk do vazhdojë gjithë kohën. Do të vijë natyrshëm drejt një zgjidhje.
E rëndësishme është që demokratët të jenë të angazhuar në betejat e tyre. ndaj thash duhet të nisin përgatitjet për betejën tjetër elektorale. Luftën nuk e kemi mes nesh, kundërshtar kemi një dhe ai është kryeministri.
Pyetje: Një mendim për përjashtimet e bëra në PD nga vetë kryetari ..
Rushaj: Z.Noka ka qenë zv/kryetar i Komisionit të Sigurisë, anëtar i komisionit, i grupit parlamentar dhe drejtues politik i një zone në Tiranë. Pavarësisht se çdo lloj posti është politik, por të qenit kryetar apo nën kryetar janë pozicione që kryetari punon në kuvend. Është larguar nga pozicioni i zv/kryetarit jo se ka shprehur mendime të kundërta me z.Basha por sepse në mënyrë të përsëritur, ka deformuar ato çfarë Basha ka thënë në mbledhje, dhe këtë e ka bërë me një qëllim që s’kanë të bëjnë me divergjencën e mendimeve të njëri apo tjetrit. Ai as nuk është larguar as përjashtuar.
Pyetje: Si do të jetë opozita përballë mandatit të tretë të qeverisë?
Rushaj: Ne kemi filluar me disa gjëra që janë shumë konkrete. Përveç hetimit të zgjedhjeve, që nuk besoj ka sens të shkohet në zgjedhjet e ardhshme pa u hetuar, çfarë u bë me të dhënat personale të njerëzve, që u keqpërdorën nga PS.
Pa u bërë e qartë lidhja mes krimit dhe politikanëve që solli në deformimin e vullnetit të tyre s’ka sens të shkohet në zgjedhjet e ardhshme. Ndaj them që hetimi i kësaj problematike, krijimi i një kuadri ligjor me garanci për zgjedhjet e ardhshme është prioritet. Kemi paraqitur dy komisione të tjera hetimore, që janë shembulli më tipik dhe i qartë i dëmeve që sjell vendimmarrja abuzive e administratës publike dhe përfshirjen e kryeministrit në këtë vendimmarrje.
Është edhe një shembull si organet e reja të drejtësisë nuk po bëjnë punën e tyre. Nuk duhet të harrojmë që përveç këtyre, qytetarët përballen përditë me vështirësi për të përballuar rritjen e çmimeve.