Pasi i shpëtuan ndjekjes së policisë greke, dy shqiptarët braktisin makinën plot me drogë dhe largohen në këmbë. Vijon aksioni për kapjen e tyre

79

Mediat greke bëjnë me dije se policia e vendit fqinj po vijon një operacion anti-drogë për kapjen e dy personave me origjinë të huaj, që dyshohen se janë shqiptarë, të cilët mësohet se po transportonin kanabis të papërpunuar me peshë mbi 65 kilogramë.

Dy personat të cilët ishin duke drejtuar një makinë në zonën e Kastorias pasditen e së hënës, mundën t’i iknin ndjekjes së policisë. Pak më vonë ata kanë braktisur mjetin bashkë me drogën dhe janë larguar në drejtim të paditur në këmbë.

 

Policia greke bën me dije se të dy personat, të cilët dyshohen të jenë të moshës 30-vjeç dhe 19-vjeç, janë shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese.

Brenda automjetit u gjetën tre çanta udhëtimi me gjashtëdhjetë pako të improvizuara me kanabis të papërpunuar, me peshë totale 65 kilogramë e 880 gram. Nga hetimet policore rezultoi se mjeti kishte targa të falsifikuara.

Kujtojmë se prej 1 shtatorit të këtij viti, policia greke ka kapur rreth 1.1 tonë marijuhanë që vinte nga Shqipëria.