Nipi vrau xhaxhain e më pas veten, zbardhet dinamika e ngjarjes në Vlorë: Ishin konfliktuar për tokën me ullinj

100

Zbardhet dinamika paraprake e ngjarjes disa orë pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në familjen Koreta në fshatin Mekat të Vlorës. Jorgji Koreta 64 vjeçari i ndjerë jetonte prej vitesh në Vlorë, por kishte tokat me ullinj në fshatin Mekat. Ditën e djeshme ai kishte udhëtuar nga Vlora drejt Mekatit për të vjelur ullinjtë sëbashku me nipin e tij Gencin në tokën që ndodhej pranë shtëpisë se Genci Koretës, autorit të vrasjes.

Sipas policisë motivet e krimit janë ende të paqarta, por dyshohet se janë zënë për ullinjë, më saktësisht për ndarjen e tyre se kujt i takojnë. Gjithshka ka nisur me një debat mes fjalëve, konfrontimit fizik mes tyre dhe më pas përdorimit të armës së gjahut.

I nxehur dhe në gjendje të rënduar psikologjike, Genci është kthyer në banesë siç tregojnë edhe familjarët dhe ka marrë armën e gjahur pa e kuptuar xhaxhai i tij gjendjen e nipit, është rikthyer tek toka dhe ka goditur në drejtim të tij me një plumb, i cili e ka kapur të ndjerin në pjesën e kokës dhe më pas disa metra më tutje ka goditur veten në kokë. Arma e gjahut ishte pa leje përdorimi nga Genci Koreta. Në armë kanë qenë vetëm dy fishekë dhe të dy janë shtënë nga autori i ngjarjes.

Autori vuante nga gjendja e rënduar psikologjike. Genci Koreta prej disa vitesh ka jetuar në Greqi teksa kishte disa vite i rikthyer në fshat. Në gjendjen civile rezultonte i pamartuar. Ndërsa viktima ishte me profesion të hershëm polic dhe jetonte prej vitesh në Vlorë, bashkë me familjen.

Për ngjarjen janë pyetur personat e afërt të të dy familjeve, afro 15 persona, fqinj me shtëpinë në pronësi të babait të ndjerë si dhe të familjes së Jorgji Koretës, të cilët janë shprehur se nuk kanë patur më parë konflikte dhe kanë pohuar gjendjen e rënduar depresive të tij. Vendi ku ka ndodhur ngjarja ka qenë në errësirë të plotë, nuk bëhet fjalë të ketë kamera sigurie. Mekati është fshat i Vlorës, i cili administrohet nga Llakatundi, por pjesë e Bashkisë Vlorë.