Tenderi 86 milionë lekë e çoi në pranga, SPAK lë në burg ish-drejtorin e RTSH-së

51

Gjykata e Apelit në Gjykatën e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatit duke lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi dhe anëtaret e komisionit që u arrestuan pak ditë më parë për tenderin e RTSH Agro.

“Gjykata e Posaçme e Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ne zbatim te nenit 249/6 te K.P.r. Penale, vendosi: Miratimin e vendimeve nr 79, dt 07.10.2021 dhe nr 80, dt 11.10.2021 te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”shkruhet në vendimin e dhënë nga gjyqtarja Saida Dollani.

 

Ishte tenderi me vlerë mbi 86 milionë lekë për blerje të pajisjeve për kanalin “RTSH Agro” që çoi në pranga ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçin së bashku me tre ish anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Fillimisht shkeljet u kallëzuan nga kompania humbëse dhe më pas u konstatuan edhe nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndër shkeljet e konstatuara ishte nisja e tenderit dy vjet përpara se AMA të jepte licencën për hapjen e një kanali të ri dhe një përpara se RTSH Agro të niste transmetimet. SPAK e kishte nisur proçedimin penal për këtë tender në datën 28 shkurt të 2020.

Ish-Drejtori i RTSH-së akuzohet ka kryer me dashje veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin duke konsumuar elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”. Për tre punonjësit e tjerë rëndon akuza e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera e kryer në bashkëpunim.

Pas arrestimit Gëllçi, ka vijuar betejën në Gjykatën Administrative me Radio Televizionin Shqiptar duke e quajtur të padrejtë shkarkimin nga detyra. Krahas dëmshpërblimit për largim sipas tij të padrejtë nga detyra, ish drejtori i RTSH-së kërkon dhe hapjen garës për drejtues.