Drejtorët në institucione do paguhen deri 75 mijë lekë të reja shtesë në muaj, në rast risku apo me shumë angazhime (VENDIMI)

71

Nëpunësit në strukturën anti-Korrupsion në Ministrinë e Drejtësië do të përfitojnë pagë shtesë për natyrë të veçantë pune (me më shumë risk apo angazhim), në varësi të statusit që ata mbajnë. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku është caktuar se:

– drejtorët, përgjegjësit e sektorit dhe specialistët  në rrjetin e koordinatorëve do të përfitojnë deri në 60 mijë lekë në muaj shtesë,

-ata që mbulojnë njësinë operacionale në terren do përfitojnë deri në 75 mijë lekë shtesë,

-ata që mbulojnë drejtorinë në fushën kundër korrupsionit marrin deri në 40 mijë lekë shtesë në muaj.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Në kreun IV, të vendimit nr.618, datë 20.10.2021, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 15, shtohet pika 16, me këtë përmbajtje:

“16. Përveç pagës mujore, nëpunësit në strukturën përgjegjëse kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën:

  1. a) 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, si dhe “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” e “specialist”, në drejtorinë që mbulon Rrjetin e Koordinatorëve Kundër Korrupsionit;
  2. b) 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor drejtorie” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon njësinë operacionale të verifikimit në terren;
  3. c) 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj, në pozicionet “Drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon projektet e programet në fushën kundër korrupsionit.”.
  4. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.