Ekspertët: Emetimi i karbonit është kthyer në nivelet e para pandemisë

84

Në vitin 2021, nivelet e emitimit të dioksidit të karbonit (CO2) në botë janë kthyer në ato që ishin para pandemisë, sipas një studimi të publikuar më 4 nëntor.

Të dhënat u bënë publike nga konsorciumi “Global Carbon Project”, një grup shkencëtarësh që hulumtojnë ndryshimet klimatike.

 

Raporti u bë publik në konferencën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që po mbahet në Glasgou të Skocisë.

Në vitin 2020, sipas shkencëtarëve, emetimet e CO2 ranë me një rekord prej 1.9 miliardë tonësh, apo 5.4 për qind pasi vendet vendosën masa të izolimit.

Ajri më i pastër në shumë prej qyteteve të mëdha rriti shpresat se bota ishte në rrugë të duhur për reduktimin e ndotjes nga karboni.

Por, shkencëtarët thonë se nuk ishte kështu.

Raporti parashikon që emetimet e vitit 2021 do të tregojnë një rritje prej 4.9 për qind.

“Ajo që na befasoi ishte intensiteti dhe shpejtësia e rikthimit,” tha autori kryesor i raportit Pierre Friedlingstein, një studiues i klimës në Universitetin e Exeter në Britani të Madhe.

Qëllimi i konferencës për klimën që po mbahet në Glasgou është që të gjejë mënyra për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale dhe për të shmangur efektet katastrofike të ndryshimeve klimatike.

Për ta bërë këtë, shkencëtarët thonë se emetimet e CO2 duhet të arrijnë zero deri në vitin 2050.

Raporti theksoi një rritje në emetimet e karbonit që bënë Kina, duke thënë se ky vend, këtë vit, do të përfshijë gati një të tretën e prodhimin të dioksidit të karbonit në nivel global.

Shifrat bazohen në të dhënat nga qeveritë për përdorimin e energjisë, udhëtimin, prodhimin industrial dhe faktorë të tjerë.

Raport kishte edhe disa të dhëna pozitive. Për shembull, 23 vende që përbëjnë një të katërtën e emetimeve globale gjatë dekadës së fundit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, shënuan rënie të emetimeve pavarësisht rritjes ekonomike.