Një mjek pediatër ka ngritur shqetësimin mbi përdorimin e djepit për të vendoshur foshnjat në gjumë, një veprim që mund të shkaktojë edhe dëmtime në tru.
Pediatri Gëzim Xharra nga Kosova e ngriti këtë shqetësim në media dhe ka paralajmëruar se do ta drejtojë problemin në instanca ligjore, duke kërkuar që të ndalohet me ligj përdorimi i djepit.
“Ky veprim i yni ka qenë traditë edhe te shumë popuj të tjerë, të cilët me kohë e kanë larguar. Por nëse një gjë e tillë ndodh në botën perëndimore, merret si abuzim i rëndë i fëmijës,” u shpreh ai në një intervistë për emisionin “Frontal” në T7.
Në një komunikim për “Wake Up”, konsulentja e gjumit Artemisa Brahimaj ra dakord me pediatrin.
“Gjatë punës sime, jam përpjekur masivisht që të informoj nënat se nuk duhet të përdoret djepi, nuk është forma e duhur për të vendosur fëmijët në gjumë, ndonëse për shumë vite me radhë është servirur si metoda më e mirë […] Unë si konsulente gjumi, pa prekur pjesën e zhvillimit të fëmijës dhe pjesën shëndetësore, të cilat i ka prekur mjeku, mund të them që nuk është forma e duhur. Fillimisht duket si zgjidhja më e mirë, sepse djepi tenton që të qetësojë refleksin moro që ka fëmija, i cili përkon me lëvizjen e pavullnetshme të gjymtyrëve të sipërm dhe fëmija kur lëviz, trembet dhe zgjohet ose qan më shpesh.”
Konsulentja shtoi se tundja në djep krijon varësi dhe fëmija duhet të jetë gjithmonë i lidhur për të fjetur gjumë, një praktikë kjo e gabuar, ndërsa pediatri u shpreh se lëvizjet e kokës gjatë tundjes së djepit mund të shkaktojnë dëmtime në tru.
Xharra dhe Brahimaj ranë dakord që jo vetëm lëkundjet në djep, por çdo lëkundje kundër forcës gravitacionale, mund të shkaktojë dëmtime. Konsulentja shtoi gjithashtu se lidhja në djep mund të dëmtojë ndër të tjera kockat e legenit të fëmijës.