“Fale se ka qenë i lodhur”, Anila Hoxha tregon telefonatën e babait

50

Mësojeni një polic se një gazetar një ditë do jetë aty për të treguar edhe historinë e tij!

Më shumë se kushdo telefonata e tim ati, njeriut që ka më shumë ndikim në jetën time më shtyu të ulem të shkruaj këto rreshta. “Fale se ka qenë i lodhur” – më tha dhe më pas më kritikoi  ashpër për sjelljen.

Dhe u mundova të vesh këpucët e atij polici, të qëndroj me orë të zgjatura në mal e të kërkoj nën presionin se përse ngjarja nuk është zbardhur. Dhe megjithëse e kuptoj lodhjen e tij , kushtet e vështira në mal , prapë nuk e kuptoj armiqësinë ndaj një gazetari, që spo bënte asgjë tjetër vec detyrës dhe që ishte aty dhe për atë, mbasi do fliste për qytetin ku ai jeton e rrit fëmijët , sigurinë në shkolla ,  drogën, fenomenet e kriminalitetit dhe cdo problematikë tjetër. Ky gazetar kushdoqoftë shkruan për këtë polic, kur nuk i paguajnë orët shtesë, kur e keqpërdorin, për  mos ngritjen e  tij në detyrë dhe cdo gjë tjetër që i transmetohet publikut ashtu si  abuzimin me cdo formë të pushtetit.

Këtu e 15 vjet më parë nëse do kisha qëndruar në pritje të produktit të zyrave të shtypit dhe nëse nuk do kisha kapërcyer fshehtas muret e një ndërtese së bashku me operatorin Besfort Kryeziu , duke shkelur ligjin dhe duke “ dhunuar “ një institucion, publiku nuk do ta kishte marrë vesh kurrë të vërtetën e fëmijëve të Policanit. Askush nuk do ta kishte mësuar të vërtetën e torturës përmes urisë të dhjetra fëmijëve që shteti deshi ti shpëtojë nga gjakmarrja e për këtë arsye ngriti një qendër, por që më pas njerëz të veshur me pushtet dhe natyrisht të korruptuar , zhvatën fonde e miliona lekë dhe fëmijët përfunduan “të ngujuar “nga mosushqyerja. Kjo shkelje e rregullave solli nxjerrjen në dritë të vërtetës e natyrisht zbulimin e një prej aferave më të mëdha korruptive , me zyrtarë të lartë që përfunduan para drejtësisë .  Po , unë Anila Hoxha, mund tju numëroj ndër vite dhjetra raste të shkeljes së rregullave, nxehjes së qeverive që janë e pastaj ikin, mbasi isha duke bërë detyrën time me vetëm një qëllim , tregimin e të vërtetës me saktësi dhe prova , zbulimin e saj, ekspozimin e saj para qytetarëve. Sepse kjo është detyra ime. Unë jam gazetare  dhe një gazetar sic pyet në formë retorike profesori Artan Fuga, nuk mund të bëjë “gazetari declarative” ku gazetari thjesht thjesht zgjat mikrofonin. Gazetari hulumton, kërkon, mbledh fakte, dyshon dhe ka mendje kritike duke ju përmbajtur parimeve të vërtetësisë dhe paanshmërisë , për tju dhënë përgjigje sipas parimeve të profesionit pyetjeve që në fund fare janë në shërbim të publikut dhe llogaridhënies.  Detyra e një gazetari është të respektojë të vërtetën dhe ta mbrojë publikun duke e informuar  me të vërteta që nuk janë të ëmbla, por të hidhura.