Taksisti gjeti telefonin e biznesmenit të vrarë pranë Shkollës së Bashkuar dhe e shiti në një servis, celulari zbuloi se ku ishte braktisur viktima (Detajet)

77

Telefoni i biznesmenit Ruzhdi Hoxha çoi në gjetjen e trupit të tij të pajetë dje në Dajt.

Sipas gazetares Klodiana Lala, telefoni i viktimës ishte gjetur përtokë në zonën pranë shkollës së Bashkuar, nga një taksist.

Ky i fundit mësohet se e kishte shitur celularin në një servis telefonash në kryeqytet. Bëhet e ditur se telefoni, duke qenë se nuk kishte pin, një nga teknikët e servisit kishte bërë me të një thirrje telefonike. Ka qenë pikërisht kjo telefonatë që sinjalizoi policinë, e cila lokalizoi vendin e servisit dhe e sekuestroi atë si provë materiale.

Pasi u identifikua taksisti, ai kishte deklaruar dhe vendin se ku e kishte gjetur, dhe nga ky moment policia filloi kërkimet në zonën e Dajtit.

Nga lëvizja e telefonit të viktimës, policia zbuloi dhe vendin ku ishte vrarë dhe mbuluar me zhavor e gurë Ruzhdi Hoxha. Kujtojmë se si i dyshuar për krimin është arrestuar Ferdinand, alias Fredi Rrushi.