‘Madeliene Albright duhet të jetë njeriu kryesor në dialogun Kosovë – Serbi’

183

Kryetari i Federatës Shqiptare në SHBA “Vatra”, Elmi Berisha, e ka quajtur lajm jashtëzakonisht të mirë për shqiptarët përfshirjen e mundshme të ish Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeliene Albright, në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ka qenë mike e përbetuar e shqiptarëve. Është në nivel me Bob Dolin, Xhorxh Bushin e Vjetër, Xhorxh Bushin e Ri…”, është shprehur Berisha në një intervistë online për televizionin Klan Kosova.

Berisha ka thënë se emërimi i zonjës Albright në pozitën e Emisares së presidentit Joe Biden për Dialogun do të ishte zgjidhja më e mirë për përfundimin me sukses të dialogut.

“Mënyrë më e mirë për ta zgjidhur këtë çështje është që Albright të jetë njeriu kryesor në bisedimet Kosovë-Serbi. Albright është personalitet që e njeh shumë mirë situatën në Ballkan dhe në Evropë”, ka thënë ai.

Berisha ka thënë se udhëheqësit e Serbisë do ta pranonin zonjën Albright si emisare, ndonëse ajo është person i urryer në Serbi. Ai ka thënë se ish-sekretarja amerikane e shtetit nuk ka asgjë më Serbinë dhe me serbët, si popull, por me qeveritë dhe udhëheqësit e Serbisë.

“Nuk kam parë që ajo ka urrejtje ndaj serbëve. Ajo e ka urrejtje ndaj mentalitetit qeverisës, ndaj qeverive të Serbisë, që nga ajo e Millosheviqit e deri te kjo e tanishmja, e Vuçiqit. Nuk është e kënaqur me qasjen e tyre (udhëheqjeve të Serbisë) ndaj shqiptarëve dhe ndaj paqes në përgjithësi. Ajo nuk ka asgjë personale me serbët”, është shprehur ai.

Kryetari i Federatës Shqiptare “Vatra” e ka vlerësuar në superlativ për Presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Joe Biden, dhe për administratën në krijim.