Erion Braçe: Te ajo poliklinika në Lushnjë të hante miu që ç’ke me të, deputeti socialist kritika ministres së Shëndetësisë

102

Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për vitin e ardhshëm, ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe, ngriti në Komisionin e Ekonomisë shqetësimet e tij në lidhje me spitalet e rrethit të Lushnjës.

Braçe u shpreh se madhësia e rrethit të Lushnjës, duhet të bëjë që spitalet që ndodhen në këtë zonë të mos kenë statusin e spitalit bashkiak, pasi fluksi i shërbimeve që duhet të përballojnë është tepër i lartë.

Ish-zëvendës kryeministri solli në vëmendje dhe problematikën e poliklinikës në qendër të Lushnjës, ku theksoi me ironi se aty të hante vërtet miu përpara se të rikonstruktohej.

Teksa nuk mohoi investimet e bëra për Qendrat Shëndetësore, Braçe e vendosi theksin tek ndryshimi i statusit të spitaleve në rrethin e Lushnjës.

“Kam një çështje në parim, e kam për rrethin e Lushnjës. Bëhet fjalë për dy bashki, konsiderohet spitali atje si një spital bashkiak, ndërkohë që sot që flasim rrethi i Lushnjës është më i madh se qarku i Kukësit, sot që flasim rrethi i Lushnjës është më i madh se qarku i Dibrës, sot që flasim është më i madh se qarku i Gjirokastrës. Rrethi i Lushnjës sot që flasim është më i madh se Bashkia e Fierit. I gjithë ky rreth nuk mund të marrë vetëm shërbime të urgjencës, duhet konsideruar ndryshe, duhet t’i jepet një status tjetër. Nuk është si gjithë bashkitë e tjera, është krejt ndryshe.

Për shkak të natyrës së punës që është e gjitha në kushte atmosferike në verë dhe në dimër, se është në fushë të hapur, për shkak të sëmundjeve të trashëgueshme, ku sëmundjet e gjakut zënë vendin e parë, duhet trajtuar ndryshe. Nëse zgjidhim këtë problem të statusit, zgjidhen edhe të tjerat, siç u zgjidh dhe ajo poliklinika ku vërtetë të hante miu. Te ajo poliklinika në mes të qytetit të hante vërtet miu. Të hante miu që ç’ke me të. Nuk u kujtu njeri deri sa ajo u bë nga e para. Ashtu duhet të zgjidhen dhe problematikat e tjera. Siç u zgjidh problematika në shumë qendra shëndetësore të Lushnjës, ku po investohet për herë të parë. Ashtu do zgjidhet dhe problematika e spitaleve, por shikoni statusin, thelbësore është statusi”, tha Braçe.