“Me këtë informacion të dobishëm për kategoritë e fëmijëve që duhet të vaksinohen ndaj Covid-19, ju ftoj të kontaktoni mjekun tuaj të familjes.
Ekipet tona mjekësore janë në shërbim çdo ditë të javës në qendrat shëndetësore dhe pikat e vaksinimit të përqendruar”.
Kështu shkruan ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila i përgjigjet pyetjes së qytetarëve se cilët fëmijë duhet të vaksinohen kundër koronavirusit.
Manastirliu u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen duke kontaktuar me mjekun e familjes. Ajo ka shpërndarë informacion në lidhje me vaksinimin e fëmijëve, kategoritë dhe vaksinat që duhet të marrin.
“Rekomandohet vaksinim i fëmijëve 12-15 vjeç me sëmundje kronike dhe të gjithë grupmoshës 16-18-vjeç në çdo qendër shëndetësore apo pikë vaksinimi.
Vaksina merret përkundër një karte identiteti, ndërsa fëmijët duhet të jenë të shoqëruar me prindin apo kujdestarin e tyre.
Për kategorinë deri në 18 vjeç do të aplikohet vaksina Pfizer“,-shpjegon Manastirliu.
Informacioni i shpërndarë nga ministrja:
Kush duhet të vaksinohet?
-Fëmijët 12-15 vjeç me sëmundje kronike të përcaktuara
Të gjithë fëmijët 16-18 vjeç
Kur dhe ku?
Menjëherë në çdo qendër shëndetësore apo pikë vaksinimi
Si?
Me kartë identiteti. Fëmijët nën 18-vjeç paraqiten me prindin apo kujdestarin e tyre, i cili aprovon kryerjen e vaksinës.
Çfarë?
Për fëmijët deri në 18-vjeç, aplikohet vaksina Pfizer, sipas rekomandimeve të organizmave ndërkombëtare FDA dhe EMA.