Kombëtarja shqiptare e futbollit, nën drejtimin e trajnerit Edi Reja, ka zhvilluar mbrëmë përgatitjet e fundit në prag të ndeshjes me Anglinë. Seanca e fundit u zhvillua në terrenet stërvitore të kampusit universitar të Brunelit, në perëndim të Londrës.
Kuqezinjtë u kanë dhënë aty dorën e fundit përgatitjeve për këtë ndeshje ku luhen shanset e fundit që ka për të qenë pjesë e “play off”- it për Botërorin “Katar 2022”. Ndonëse trajneri Edi Reja pohoi në konferencë se formacionin ua deklaron lojtarëve pak para ndeshjes, dita e djeshme dha disa sinjale ndryshimi në formacionin e mundshëm ndaj anglezëve.
Prania e Cikalleshit në konferencë përkrah italianit shikohet si një sinjal ndryshimi në portë, ku gjasat janë që sot nga minuta e parë të jetë Tomas Strakosha në fushë, ndërsa kapiteni Etrit Berisha mund ta nisë nga stoli. Nedim Bajrami ishte në balotazh me Çekiçin, por mesfushori i Empolit pritet të jetë titullar.
Dyshja e sulmit ndaj “Tre Luanëve” pritet të përbëhet nga Cikalleshi dhe Uzuni. Kuqezinjtë pritet të rreshtohen në fushë me modulin 3-4-1-2. Në fazën mbrojtëse ky modul shndërrohet në 5-3-2, ku Hysaj dhe Trashi mbyllin anët e mbrojtjes, e cila në qendër pritet të ketë treshen Ismajli-Kumbulla-Veseli.
Ndërsa kur sulmon Shqipëria, rreshtimi pritet të transformohet 3- 4-3, ku Gjasula dhe Bare kanë kontrollin e qendrës së mesfushës, ndërsa Bajrami shikohet si një furnizues për dyshen sulmuese.
Pra, ky pritet të jetë rreshtimi i mundshëm, por trajneri në disa raste ka surprizuar me ndryshimet në formacion pak para fillimit të ndeshjeve. Gjithsesi, trajneri Reja është i limituar në zgjedhje, për shkak edhe të mungesave dhe formës së individëve të veçantë.
Në seancën stërvitore të zhvilluar në Londër radhëve të përfaqësueses u është bashkuar edhe Armando Broja. Lojtari kishte qëndruar në Angli për t’u rikuperuar nga një dëmtim në kavilje që e ka shqetësuar në javët e fundit dhe për të qenë vetëm sot përsëri pjesë e ekipit.
Megjithatë, situata e tij nuk është optimale, pasi lojtari është vënë menjëherë nën kujdesin e stafit mjekësor, për t’i fashuar kaviljen e dëmtuar, para se të bashkohej në ushtrime me pjesën tjetër të skuadrës. Sipas asaj që tha trajneri Reja, Broja nuk parashikohet të jetë titullar, por po monitorohet gjendja e tij për ta aktivizuar disa minuta në pjesën e dytë.