Dhjetë kompanitë me fitimet më të mëdha në Shqipëri; Koncesionet dhe ndërtimi më fitimprurëset

104

2020-a i kapi papritur bizneset, me shpërthimin e pandemisë që devijoi gjithë planet e pritshmëritë e tyre. Karantina dhe ndryshimi i sjelljes konsumatore i vunë sipërmarrjet në vështirësi. Misioni kryesor, nga rritja organike dhe zgjerimi, u bë kalimi me sa më pak pasoja i krizës më të thellë që njohu ekonomia, të paktën që nga viti 1997. Dhe të paktën për fitimet, sipërmarrjet e mëdha duket se ia arritën këtij qëllimi.

Ekonomia e shkallës, përvoja në treg, reagimi i shpejtë, orientimi drejt teknologjisë së informacionit (si puna në distancë, apo shitjet online), apo edhe marrja përsipër e riskut nga shteti në rastin e kontratave koncesionare dhe lulëzimi i mëtejshëm i tregut të pasurive të paluajtshme (jo pak i çuditshëm në kushtet e një trendi demografik të qartë në rënie), bënë që shumë biznese të mëdha të ruanin fitime të kënaqshme, ndonëse u përballën me rënie të të ardhurave.

Si çdo vit, Revista publikon renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pas atij të “200 më të mëdhenjve”, sipas të ardhurave, që bazohen në listën e marrë nga Tatimet dhe bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Fitimi total për 200 kompanitë më të mëdha, sipas këtij treguesi në vitin 2020 ishte 83 miliardë lekë, me një tkurrje prej 5% në krahasim me 200 më të mëdhenjtë e një viti më parë. 62% e sipërmarrjeve raportuan rritje të normave të fitimeve. Edhe në vlerë, 63% e kompanive deklaruan rritje të fitimeve.

Këto rezultate pozitive u arritën ndonëse nga e njëjta listë, vetëm 42% e sipërmarrjeve raportuan rritje të qarkullimit vjetor, në një tregues që bizneset kanë nxituar të shkurtojnë shpenzimet (përfshirë punonjësit) me ritme më të larta sesa të ardhurat, në mënyrë që të ruanin produktivitetin dhe fitimet.

Edhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) gjeti se produktiviteti i punës në Shqipëri ka shënuar rritje në kulmin e pandemisë, me vlerën e prodhimit për një të punësuar, që u zgjerua me gati 5% në vitin 2020, me bazë vjetore. Edhe të dhënat e INSTAT tregojnë se pandemia ka dëmtuar punësimin më shumë se sa prodhimin, me rreth 43 mijë persona që dolën nga tregu i punës për shkak të pandemisë dhe krizës së shkaktuar prej saj.

Modeli “parazitar” i ekonomisë u përforcua

2020-a nxori në pah më tej modelin “parazitar” të ekonomisë, që nxit dhe promovon biznese, të cilat kanë fitime të larta e të lehta, por nuk i kanë sjellë vlerë të shtuar ekonomisë dhe as kanë promovuar investimet produktive. Sipërmarrjet e industrisë përpunuese rezultojnë me fitime minimale dhe nivel të ulët të qarkullimit vjetor, duke mbetur të vogla dhe pa investime domethënëse.

Më pak fitime, do të thotë më pak investime, që në afat të mesëm e fut ekonominë në një rreth vicioz të mungesës së produktivitetit, ndërsa konkurrenca nga jashtë sa vjen e shtohet, edhe për shkak të hapjes së tregjeve. Rezultatet e këtij modeli ishin të dukshme në vitin 2020, kur sidomos kompanitë eksportuese u goditën rëndë nga rënia e kërkesës dhe ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit, duke e pasur të vështirë të përshtaten.

Nuk ndodhi e njëjta gjë me homologet e rajonit, sidomos në Serbi e Maqedoninë e Veriut, që prej vitesh janë hapa para nesh në sofistikimin e sipërmarrjeve dhe të produkteve që ato prodhojnë. Këto dy vende, të cilat kanë investuar në prodhim dhe kanë eksporte me vlerë të shtuar të lartë panë një tkurrje të ulët (me 2-3 pikë përqindje) të eksporteve të mallrave e shërbimeve, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, sipas Bankës Botërore.

Shqipëria vijoi ta ketë këtë tregues ndër më të ulëtin në rajon, dhe në vitin 2020 zbriti në 23% të PBB-së (- 8 pikë përqindje), nga përkatësisht 52% dhe 58%, që ishin këta tregues për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Bizneset “dembele”, me fitime të garantuara nga marrja e një koncesioni në ofrimin e shërbimeve ekskluzive, në vitin pandemik treguan se në pjesën më të madhe, riskun financiar e ka marrë përsipër shteti. Nga 12 sipërmarrje koncesionare që janë në listën e kompanive më të mëdha sipas fitimeve në vend, 70% e tyre panë një rritje të normave të kthimit në 2020-n. Historikisht, këto biznese kanë norma fitimi dyshifrore, që do t’i kishte zili çdo sipërmarrje tjetër që vepron nën presionin e konkurrencës (të ndershme apo të pandershme) dhe që arrijnë deri në 70%.

Edhe në renditjen e 200 kompanive më të mëdha për vitin 2020, gati 10% e sipërmarrjeve janë koncesione të dhëna gjatë 20 viteve të fundit, njëlloj si në 2019-n.

Sektori i ndërtimit është i dyti me fitimet më të larta në vend, me rreth 15-20%. Ndërtimi vijoi edhe në 2020-n të tërheqë kapitalet e lira të sipërmarrjeve shqiptare, për shkak të kthimeve të larta, të ndihmuara edhe nga prurjet informale të valutës, duke rrezikuar krijimin e një flluske në momentin që këto burime do të shterojnë. 2020-a pa, si asnjëherë tjetër, rritje të kompanive të këtij sektori në listën e më të mëdhenjve, si për të ardhurat, ashtu edhe për fitimet.

Biznesi me shtetin (tenderat) mbetet po ashtu i preferuar. Normat e fitimit i kalojnë 15%, teksa gara në tendera, me sa duket, po bëhet gjithnjë e më shumë fiktive dhe në shumë raste, ofertat e kompanive fituese janë afër fondit limit.

Bankat shënuan një vit më të mirë sesa pritej, për shkak të masave, të iniciuara nga Banka e Shqipërisë për ristrukturimin e kredive dhe gjallërimin e ekonomisë në gjysmën e dytë të vitit, ndonëse fitimet, për pjesën më të madhe të tyre, ishin në rënie.

Kompanitë tregtuese (karburanteve dhe mallrave që lëvizin shpejt nga rafti) kanë qarkullime të larta dhe ndonëse rezultojnë me norma të ulëta fitimi (2-6%), sidomos për karburantet ato janë të konsiderueshme në vlerë absolute.

Për sistemin bankar, 2020-a ka qenë një vit pozitiv, me norma kthimi rreth 30%, teksa i ka rezistuar pandemisë, me rezultate shumë më të mira sesa priteshin.

Tregtuesit e produkteve farmaceutike, ndonëse i rritën ndjeshëm të ardhurat në 2020-n, duke reflektuar kërkesën e lartë gjatë pandemisë, nuk kanë “shkëlqyer” te fitimet, si rrjedhojë e shtimit të kostove. Më të fituar ishin laboratorët e analizave dhe kompanitë e tregtimit të gazit për qëllime mjekësore.

Në një zhvillim pozitiv, pandemia nxiti teknologjinë e informacionit dhe kjo është e reflektuar dhe në numrin e lartë të sipërmarrjeve nga ky sektor, të cilat kanë hyrë në renditjen e fitimeve, me norma kthimi dyshifrore.

Kompanitë shtetërore janë të përqendruara në fushën e energjisë dhe aktiviteti i tyre është tepër i varur nga moti. Viti 2020 nuk ka qenë shumë i mbarë për to.

Përkundrejt qarkullimit të lartë vjetor, në pjesën dërrmuese, fitimet e kompanive shqiptare janë të ulëta, pasi pjesa më e madhe e tyre operojnë në tregti, me marzhe të ulëta shitblerjeje. Vetëm 8 kompani kishin fitime më të larta sesa 10 milionë euro (nga 14 vitin e kaluar) dhe rreth 25 të tjera, nga 5-10 milionë euro (njësoj me vitin e kaluar). Shumica e sipërmarrjeve të mëdha rezultojnë me fitime më të ulëta se 5 milionë euro, ndërsa për sektorin prodhues, rrallëherë i kalojnë 1 milion euro.

Në listën e 10 më të mëdhenjve, sipas fitimeve, ka pesë banka, një koncesion, dy shoqëri që veprojnë në fushën e ndërtimit, telekomunikacione, call center.

DHJETË KOMPANITË ME FITIMET MË TË LARTA NË VLERË ABSOLUTE

Në vend të parë, për të dytin vit radhazi, është “Banka Kombëtare Tregtare” (BKT). Fitimi para taksave i bankës më të madhe në vend ishte 9.5 miliardë lekë (me një rritje prej 21% në krahasim me vitin e mëparshëm), me një normë (fitim para taksave/të ardhurat) prej rreth 37%.

Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues i Bankës Kombëtare Tregtare, pohon se banka hyri në këtë krizë të papritur me likuiditet të mjaftueshëm dhe kapital të fortë, faktorë të cilët na ndihmuan ta shndërronim atë në një mundësi. “BKT, ashtu edhe sistemi bankar, u rikuperuan më shpejt nga sa pritej. Ne kemi një portofol kredie relativisht të vogël në krahasim me aktivet tona, i cili performoi shumë mirë. Investimet tona në thesar ishin jashtëzakonisht të mira, pasi përfituam nga luhatjet e tregut”.

“Aleat”, kompania që ka me koncesion prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit, është renditur në vendin e dytë për herë të parë në renditjen e “Monitor 200, sipas fitimeve”, pasi vitin e mëparshëm ishte një hyrje e re në vendin e katërt. Fitimet e koncesionarit u rritën me 10% në 2.5 miliardë lekë, pas katërfishimit vitin e mëparshëm, që reflektoi mbarimin e ciklit dhjetëvjeçar të pasaportave dhe kartave të identitetit. Norma e fitimit ishte 41% në vitin 2020.

Sipas raportit të aktivitetit, pasojat e përhapjes së COVID-19 kanë ndikuar në furnizimin dhe kërkesën për produktet kryesore të kompanisë dhe për këtë arsye, rezultatet e saj operacionale janë ndikuar gjatë gjysmës së parë të vitit. Sidoqoftë, rimëkëmbja e biznesit në gjysmën e dytë të vitit, ka qenë shumë e mirë, me një rritje të konsiderueshme të shitjeve, me çmime shumë të mira. Sidomos biznesi i ambasadave (që u shërben emigrantëve shqiptarë në mbarë botën) u rrit në gjysmën e dytë të vitit, kryesisht si një efekt konvertimi nga biznesi kombëtar i pasaportave, thuhet në raport.

“Raiffeisen Bank”, e treta më e madhja në vend sipas aktiveve, renditet e treta edhe në listën e “Monitor 200 sipas fitimeve”, nga e dyta që ishte vitin e mëparshëm. Fitimi para taksave ishte 2.1 miliardë lekë, me tkurrje prej 42% në raport me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ishte gati 20%.

Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri, thotë se “pavarësisht pasojave nga përhapja e pandemisë, Raiffeisen Bank arriti të ruajë një performancë të mirë financiare në vitin 2020. Falë kontributit të të gjitha linjave të biznesit, fitimi përpara tatimit arriti në 14 milionë euro.

“Segmenti i korporatave pati një performancë të kënaqshme në vitin 2020. Pavarësisht nga pandemia dhe ndikimi negativ i karantinës dhe vendosjes së kufizimeve, viti u mbyll me pothuajse të njëjtat vëllime të kredidhënies, si në vitin 2019. Segmenti siguroi një rritje të dukshme të të ardhurave nga interesi me 1.5% në vit, duke ruajtur një performancë pozitive në nivelin e të Ardhurave Bruto”.

Sipërmarrja në fushën e ndërtimit, “Gjoka Konstruksion”, është renditur, për të tretin vit radhazi, në listën e më të mëdhenjve. Fitimet e shoqërisë ishin gati 2 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm. Kompania ka aksione në shoqëritë “Gjoka Konstruksion – Energji sh.p.k.”, “Diteko sh.p.k.” (HEC), dhe “Gjoka 87”, që menaxhon kontratën koncesionare/PPP “Për përmirësimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit”. “Gjoka 87” raportoi të ardhura prej 5.8 miliardë lekësh, por fitimi ishte në norma përfitueshmërie minimale (vetëm 108 mijë lekë).

Sipas raportit të aktivitetit, për vitin 2020 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka punuar për zbatimin e kontratës për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit dhe me projekte të tjera për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Peshkopi, Konispol, Mamurras.

Albania Marketing Service (Teleperformance), operatori më i madh i shërbimeve call center në vend, ka pasur një vit pozitiv në 2020-n. Të ardhurat e kompanisë u zgjeruan me 47%, në 6.2 miliardë lekë. Në të njëjtën linjë, fitimet pothuajse u dyfishuan në gati 1.8 miliardë lekë, duke u renditur për herë të parë në 10 më të mëdhenjtë sipas fitimeve.

Pandemia ka dhënë ndikim pozitiv në rritjen e aktivitetit të Albania Marketing Service. “Nga pandemia u rritën shumë blerjet dhe shërbimet online, si rrjedhojë edhe kujdesi i klientit për këto shërbime shënoi shtim volumesh pune, që u pasqyruan në rritjen e numrit të të punësuarve, si dhe në rritjen e xhiros dhe për rrjedhojë, edhe të fitimit. Shoqëria po mundohet të ruajë këtë performancë edhe për 2021”, thotë Andia Pustina, konsulente e jashtme.

Ajo shton se rritjes së kërkesës për punë nga tregu ndërkombëtar, shoqëria iu përgjigj me një aftësi shumë të madhe të përshtatjes së punës nga shtëpia që në ditët e para të pandemisë, duke arritur të bëhej shumë konkurruese në momentet që shoqëri të tjera nuk e ofronin këtë shërbim.

“Alb-Star”, pjesë e grupit “Finman”, më i madhi i ndërtimit në vend, është renditur për të dytin vit radhazi mes më të mëdhenjve për fitimet, të cilat rezultuan në 1.6 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm.

ALB-STAR Ltd, sipas burimeve zyrtare, është një nga kompanitë më të mëdha në Shqipëri, në fushën e shërbimeve inxhinierike, veçanërisht në veprat hidraulike, të tilla si furnizimi me ujë, kanalizimet, monitorimi dhe sistemet e kontrollit, mbrojtja e lumenjve, në infrastrukturën e transportit, siç janë rrugët, autostradat, urat dhe vepra të tjera të rëndësishme, në mbrojtjen e mjedisit, në industrinë mekanike, punime të mekanizuara për industrinë e naftës, etj. Alb-Star është një prej kompanive më aktive dhe një fitues i rregullt në tenderët e punëve publike në vend, si dhe sipërmarrësi që ndërtoi “Air Albania Arena”.

“Intesa Sanpaolo Bank Albania”

“Intesa Sanpaolo Bank Albania” është renditur për të dytin vit radhazi në listën e më të mëdhenjve. Banka raportoi fitime prej 1.5 miliardë lekësh, më 2020, me rënie 25% në raport me vitin e mëparshëm, me një normë prej 26%.

Silvio Pedrazzi, tashmë ish-Kryetari i Shoqatës së Bankave dhe ish- Drejtor i Përgjithshëm i bankës “Intesa Sanpaolo Bank Albania”, i cili ishte në krye të bankës në vitin 2020, pohon në raportin vjetor se ashtu si ekonomia shqiptare tregoi fleksibilitet dhe qëndrueshmëri gjatë kësaj krize të paprecedentë, edhe rezultatet financiare të Intesa San Paolo Bank ishin më të mira sesa priteshin.

“Përtej të gjitha vështirësive të këtij viti, përfshirë pasigurinë për të ardhmen, Banka jonë riafirmoi misionin e saj, në mbështetje të ekonomisë lokale, duke ndjekur një model biznesi, i cili siguron që biznesi të ketë rritje të vazhdueshme dhe qëndrueshmëri të parametrave të Bankës. Pavarësisht situatës së shkaktuar nga pandemia në ekonomi dhe moratoriumi për zgjatjen e afateve të pagesave të kredisë, Banka arriti të mbajë të njëjtin nivel rreziku të kredisë si në vitet e mëparshme. Treguesi i huave me probleme u reduktua me 0.9 pikë përqindje në vitin 2020, për të arritur në 4.5%, niveli më i ulët historik në dekadën e fundit”.
Banka Amerikane e Investimeve

“Banka Amerikane e Investimeve” (ABI Bank) është një tjetër hyrje e re në më të mëdhenjtë e “Monitor 200”. Fitimi para taksave ishte rreth 1.3 miliardë lekë, me zgjerim prej 32%. “Gjatë këtij viti, ne pamë një harmonizim shumë të avancuar të aktivitetit të kredidhënies

korporative me departamentet e ligjorit, riskut dhe përputhshmërisë. Nga ana tjetër, departamenti i thesarit dhe financës veproi me shumë profesionalizëm në përdorimin e likuiditetit rezervë në bono thesari. Divizioni i retail mbështeti rritjen e depozitave gjatë muajve prill – qershor. Si pasojë e gjithë këtyre veprimeve, ABI shënoi një vit rekord në fitimin para taksës dhe totalin e aktiveve që raportuan përkatësisht EUR 10.2 milionë dhe EUR 704 milionë”, citohet Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, në raportin vjetor të ABI Bank.

“Banka Credins”, e dyta më e madhe në vend nga aktivet, është e nënta në renditjen e fitimeve. Banka raportoi fitime prej gati 1.1 miliardë lekësh, me tkurrje prej rreth 11%. Drejtori i përgjithshëm, Maltin Korkuti, citon në raportin vjetor se “Credins Bank e mbylli 2020-n duke vazhduar të ruajë vendin e parë në treg për totalin e portofolit neto të kredisë, me një rritje prej +4% në 2020 përkundrejt 2019-s. Në këtë vit specifik, kredidhënia u fokusua kryesisht në

sektorë strategjikë si shëndetësia, po dhe në mbështetje të bizneseve të vogla e të mesme, për të gjallëruar aktivitetin e tyre, për të kapërcyer vështirësitë e krijuara dhe për të rifilluar me optimizëm. Ndihmesë e madhe ishte dhe ristrukturimi i një pjese të portofolit të kredisë për bizneset që u ndikuan nga pandemia, si dhe mbështetja që iu dhamë me anë të skemave të paketave të garancisë sovrane. Përtej sfidave të tregut ndërbankar u ruajt një përqasje e kujdesshme për administrimin e likuiditeteve, duke siguruar një performancë të mirë për sa u takon luhatjeve të tregjeve financiare në fillimet e pandemisë”.

“One Telecommunication”, operatori i dytë më i madh i telefonisë celulare në vend, u është rikthyer fitimeve të larta, pas disa viteve me humbje, ose rezultat minimal, duke u renditur e dhjeta. Fitimi para taksave ishte 1 miliard lekë, gati 6-fishim në raport me vitin e mëparshëm, me një normë kthimi prej gati 13%. “Strategjia jonë për të sfiduar veten dhe për të dhënë rezultate më të mira se në të kaluarën funksionoi mirë”, thotë Emil Georgakiev, CEO i “One Telecommunication”. Ai shton se kompania është rritur në të gjitha parametrat-të ardhura, pjesë tregu dhe fitime. “Në vetëm një vit ne arritëm që të rrisnim pjesën tonë të tregut me pothuajse 5%. Investimi ynë prej 92 milionë eurosh po na kthehet në fitime më të larta dhe rritje të kënaqësisë së konsumatorit”.

“Tirana International Airport” (TIA), kompania që operon me koncesion aeroportin e “Nënë Terezës”, që gjithmonë ishte pozicionuar në dhjetëshe, ka dalë nga lista në 2020-n. Kompania ishte ndër më të goditurat nga kufizimet e diktuara si rrjedhojë e pandemisë së COVID-19. Numri i pasagjerëve që udhëtuan nga dhe drejt Rinasit u reduktua me 61% në 2020-n, duke arritur në nivelin më të ulët që nga viti 2008. Në linjë me reduktimin e pasagjerëve, kompania deklaroi të ardhura 3.2 miliardë lekë, me rënie prej 54%. Edhe fitimet janë tkurrur me 4 herë, në rreth 530 milionë lekë.

“Kastrati Group” është sipërmarrja e dytë e madhe në vend për të ardhurat në vitin 2020, por fitimet janë të ulëta, për shkak të marzheve të ulëta me të cilin punon ky sektor (deri në 2-3% për tregtinë e shumicës). Në 2020-n, “Kastrati Group” ka dalë nga dhjetëshja e fitimeve, ku hyri në 2019-n për herë të parë dhe u pozicionua e gjashta. Në vitin 2020, fitimet e kompanisë para taksave zbritën në 1 miliard lekë, me rënie 43%, me një normë kthimi prej 2.3%, nga 2.9% vitin e mëparshëm.

“Vodafone Albania”, operatori më i madh i telefonisë celulare, dhe “Alb-Building”, një sipërmarrje në fushën e ndërtimit, janë dy dalje të tjera nga lista e 10 sipërmarrjeve me fitime më të mëdha, pas tkurrjes me përkatësisht 83% dhe 38%.

Nënkontraktorët e TAP, që vitet e fundit, ishin rreshtuar në dhjetëshen e kompanive më të mëdha, si për fitime, ashtu dhe për të ardhura, vijojnë të jenë sërish në listë, ndonëse kanë zbritur në renditje. Në 2020-n, nga nënkontrakorët e TAP janë “Saipem S.P.A Albanian Branch”, në vendin e 23-të dhe “Joint venture Renco Terna Albania”, në vendin e 178-të. Edhe “Spiecapag Shqipëria”, që dy vite më parë ishte në dhjetëshe, ka hyrë sërish në listë, pas dyfishimit të fitimeve në 629 milionë lekë (vendi i 29-të). Edhe “Spiecapag Transadriatica” dyfishoi fitimet në rreth 294 milionë lekë.

“Jan de Nul Ludembourg SA”, që po kryen punimet në det, ka raportuar fitime për herë të parë (335 milionë lekë), pas humbjeve të vitit të mëparshëm.

Gazsjellësi TAP, një pjesë e gjurmës së të cilit kaloi dhe nga Shqipëria, është investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë 1.5 miliardë euro. Për shkak të madhësisë, specifikës dhe ekspertizës së kërkuar, pjesa më e madhe e punimeve të vështira është kryer nga kompani të huaja, duke lënë pak vlerë të shtuar në vend.

Çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Bllokimi i papritur i ekonomisë në mars diktoi punën në distancë dhe e orientoi aktivitetin e shumë kompanive tregtare drejt shitjeve online. Në gjithë botën u pa rritje e madhe e përdorimit të teknologjisë për sektorin e tregtisë, shëndetësisë, rrjeteve sociale.

Për t’iu përgjigjur kësaj kërkese, në vend dhe në botë, 2020-a pa një zhvillim të shpejtë të shoqërive që ofrojnë shërbimin e teknologjisë së informacionit, që po rezulton një aktivitet shumë fitimprurës. Në renditjen e këtij viti të “Monitor” 200, sipas fitimeve, ka shumë hyrje të reja nga ky segment, që deklarojnë norma fitimi që arrijnë deri në 96% (Artificial Intelligence Business Solutions), 91.5% (BE MOBILE), 66% (Info Business Solutions).

Edhe sektori i shërbimeve të kontraktimeve për të tretët ka parë një avantazh të ri pas pandemisë. Teknologjia e Informacionit po bëhet “call center” i ri. Pandemia e përshpejtoi ndjeshëm tendencën globale të zhvillimeve teknologjike. Në shumë shtete të botës, po konstatohet lulëzimi i përdorimit të teknologjive të reja informatike, si për aplikacionet e shitblerjeve online, të kontrollit shëndetësor në mënyrë informatike dhe të aplikacioneve për lojëra virtuale, etj.

Tendenca ka rritur ndjeshëm kërkesën për developer (zhvillues) në mbarë botën. Prania e dixhitalizimit në çdo fushë të jetës, zgjerimi i tregtisë online, konferencat virtuale që duket se do të vazhdojnë edhe pas pandemisë, nevoja për integrimin e të dhënave dhe analizën e tyre në kohë reale, po kërkon gjithnjë e më shumë profesionistë në fushën e Teknologjisë së Informacionit./Monitor