Presidenti Ilir Meta ka pritur ditën e sotme në një ceremoni shtetërore, Presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, ku e siguroi për vullnetin e palëkundur për të qenë gjithmonë në krah të Kosovës.
‘E sigurova Presidenten në Detyrë të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për vullnetin tim të palëkundur, për të kontribuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona vëllazërore, duke vënë të gjitha energjitë dhe potencialet ende të pashfrytëzuara në shërbim më të mirë të së ardhmes europiane të të dy vendeve tona.
Vlerësuam të gjitha mundësitë, që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin, veçanërisht nëpërmjet konkretizimit të Partneritetit Strategjik.
Marrëdhëniet shumë të mira kanë nevojë të gjenerojnë edhe më shumë mundësi praktike, në mënyrë që kufiri ndërshtetëror të bëhet jo vetëm i padukshëm, por dhe që qytetarët, bizneset, artistët, sportistët, intelektualët, njerëzit e shkencës dhe në veçanti të rinjtë tanë, të afrohen e të shkëmbejnë eksperienca me njëri-tjetrin, dije, përvojë e kulturë, duke forcuar identitetin dhe mbrojtur më mirë vlerat tona kombëtare.’