A do të rikthehet ekonomia botërore në normalitet në vitin 2022?

102

“The Economist”

Edhe sa do të zgjasin forcat stagflacioniste që po veprojnë aktualisht mbi ekonominë botërore? Gjatë gjithë vitit 2021, bankat qendrore dhe shumica e ekonomistëve kanë thënë se faktorët që shkaktojnë rritjen e inflacionit dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike, do të jenë të përkohshëm.

Se kriza e zinxhirit të furnizimeve do të zbehej, se çmimi i energjisë do të ulejdhe se punonjësit në vendet e zhvilluara që kanë mbetur jashtë fuqisë punëtore – për arsye që askush nuk i kupton plotësisht – do të riktheheshin në punë.

E megjithatë, ndërsa viti 2021 i afrohet mbylljes, tregjet financiare, publiku, madje edhe vetë bankierët qendrorë kanë filluar që ta humbasin besimin.Dilema me të cilën përballen politikëbërësit është e fortë. Përgjigja që japin tekstet shkollore ndaj inflacionit të shkaktuar nga ndërprerjet e furnizimeve, është shpërfillja dhe duke e lënë që largohet vetë.

E pse të dëmtohen ekonomitë me normat më të larta të interesit, të cilat tek e fundit nuk do të zhbllokojnë situatën në porte, nuk do të krijojnë furnizime të reja me gaz natyror, dhe as nuk do t’i japin fund pandemisë së Covid-19?

Në vitin 2011, inflacioni në Britani u rrit në 5.2 për qind si pasojë i rritjes së çmimeve të mallrave, por Banka e Anglisë i mbajti të ulëta normat e interesit. Në eurozonë, Banka Qendrore Evropiane i rriti normat, duke ndihmuar në daljen e ekonomisë së saj nga recesioni, dhe shumë shpejt u përball me një inflacion shumë nën objektivin e saj.

Ashtu si atëherë, inflacioni në vitin 2022, i nxitur nga çmimet e larta të energjisë ka të ngjarë që të bjerë. (Inflacioni është shkalla e ndryshimit të çmimeve, gjë që do të thotë që edhe nëse çmimet nuk kthehen në nivelet e mëparshme, mjafton që të mos rriten aq shpejt).

Por krahasimi me fillimin e viteve 2010 është i pasaktë. Vështirësitë që ka hasur tregtia globale këtë vit, nuk janë shkaktuar vetëm nga ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit, siç janë për shembull vatrat e reja tëCovid-19 që po detyrojnë mbylljen e shumë fabrikavenë Vietnam.

Ndëkohë stimulimi masiv fiskal dhe monetar, i kombinuar me distancimin social, i nxiti konsumatorët të konsumonin mallra nga më të ndryshmet, për të cilat as nuk kishin nevojë.

Në verën e këtij viti, shpenzimet e amerikanëve për produkte fizike ishin 7 për qind mbi prirjen mesatare para pandemisë. Edhe në vende të tjera, ka mungesë të mallrave në krahasim me kërkesën jashtëzakonisht të lartë për to.

Që ekonomia botërore të rikthehet në një lloj normaliteti, duhet që konsumatorët të shpenzojnë më shumë nga paratë e tyre të bollshme për shërbime, si ushqimi në restorant dhe udhëtimet. Mjerisht, ekonomitë janë të dëmtuara nga mungesa e punëtorëve të nevojshëm në këto industri, gjë që pengon lulëzimin e tyre.

Pagat në sektorin e argëtimit dhe të turizmit janë në rritje. Shumë ekonomistë shpresonin që punonjësit do të riktheheshin në masë, pasi përfundoi mbështetja emergjente për tregjet e punës, siç ishin skemat e ndihmës sociale për ata që u pushuan nga puna.

Por deri më tani, çuditërisht ka pak shenja që kjo gjë do të ndodhë. Që inflacioni të jetë i përkohshëm, duhet që të ndalet si rritja e pagave po ashtu edhe rritja e çmimeve. Alternativat janë një rritje e pamundur e produktivitetit, ose marzhe më të ulëta të fitimit, të cilat për biznese të tilla si restorantet janë tashmë të ulëta.

Disa ekspertë të politikave monetare, kanë filluar që të kenë frikë se mos ndodh e kundërta:rritja e pagave vazhdon, ndërsa punonjësit presin njëinflacion më të lartë. Bota e pasur nuk ka parë një spirale të rritjes së madhe të pagave që prej vitit 1970, dhe ekspertët argumentojnë se në ekonomitë pa një rol të rëndësishëm tësindikatave, punëtorët nuk kanë gjasa që të negociojnë me punëdhënësit për paga më të larta.

Por nëse pritshmëria në rritje mbi inflacionin vërtetohet të jetë një profeci vetëpërmbushëse, atëherë puna e bankave qendrore do të bëhet papritmas shumë më e vështirë. Ata nuk do të ishin më në gjendje që ta mbanin inflacionin sipas objektivave të tyre, pa sakrifikuar vendet e punës.

Tregjet në zhvillim janë mësuar me këtë kalim të dhimbshëm midis rritjes ekonomike dhe inflacionit, por për dekada ajo nuk e ka dëmtuar shumë botën e pasur. Ndër vendet e mëdha të pasura, më pranë politikave monetare shtërnguese është Banka e Anglisë, e cila synon të ruajë besueshmërinë e objektivit të saj mbi inflacionin, në vend që kjo të garantohet nga kushtet ekonomike themelore.

Është e lehtë të imagjinohet që politikëbërësit të rrisin normat e interesit, dhe më pas të pendohen për këtë veprim. Ndonëse inflacioni do të mbetet i lartë në muajt e parë të vitit 2022, bankierët qendrorë zakonisht mendojnë se duhet të paktën një vit e gjysmë që normat më të larta të interesit të japin efektin e tyre të plotë në ekonomi.

Forcat që më parë mbanin në nivele të ulëta normat globale dhe inflacionin – ndryshimi demografik, pabarazia dhe kërkesa e shfrenuar globale për asete të sigurta – mund të kenë rifituar fuqinë e tyre deri atëherë.

Forcimi i menjëhershëm i politikave fiskale në shumë vende, do të ndihmojë në qetësimin e ekonomive:Britania ka njoftuar rritje të mëdha të taksave, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden po përpiqet të miratojë në Kongres disa programe të mëdha shpenzimesh.

Dhe rritja më e ngadaltë ekonomike në Kinë, vend që po përballet me një krizë në tregun e pasurive të paluajtshme, mund të përhapet globalisht. Mbi të gjitha, pandemia nuk ka mbaruar ende. Përhapja e mëtejshme e virusit mund ti dëmtojë sërish ekonomitë nëse zbehet imuniteti, dhe nëse vaksinat nuk do të jenë efektive për variantet e reja të virusit që mund të shpërfaqen.

Por me zinxhirët e furnizimit në limitet e tyre, bota nuk mund të përsërisë iluzionin e ruajtjes së rritjes ekonomike në nivelet e dëshiruara, përmes përdorimit të stimujve fiskalë, që i zhvendos shpenzimet e konsumatorit drejt mallrave fizikë.

Përkundrazi, bankat qendrore do të duhet të frenojnë rritjen e shpenzimeve përmes miratimit të normave më të larta të interesit,për të shmangur inflacionin e tepruar, për aq kohë sa oferta të përshtatet me modelet e shpenzimeve dhe tregun e punës, të cilat aktualisht janë shumë të ndryshme nga situata që mbizotëronte në vitet 2010. Nëse normaliteti nuk kthehet në vitin 2022, alternativa është një rregullim i dhimbshëm ekonomik./Bota.al