Dyshohet se vrau pronarin e servisit për një gomë, arrestohet ish-agjenti i SHISH

54

Ish-agjenti i SHISH Xhevahir Mzhika është arrestuar në lidhje me një vrasje të kryer në vitin 2014 tek ish Fusha e Aviacionit në kryeqytet. Shtatë vite më parë Mzhika dyshohet se vrau me armë zjarri pronarin e servisit Florian Selmani pas sherrit për një gomë makine.

Në lidhje me këtë ngjarje Mzhika është dënuar me 10 vite burg. Policia ka bërë të mundur lokalizimin e tij në bazë të informacioneve në rrugë operative dhe më pas ka ndërmarrë aksionin për finalizimin e arrestimit në rrugën “Babë Rexha”, anës lumit. Mzhika ka tentuar të largohet por është neutralizuar nga policia.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”.  Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve kundër personit.  Kapet dhe vihet në pranga 51-vjeçari i dënuar me 10 vite burg, për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Në vijim të punës për lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë bërë lokalizimin e vendndodhjes së një personi të shpallur në kërkim për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.  Mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Reagimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim Xhevahir Mzhika, 51 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u kap në rrugën “Babë Rexha”, anës lumit, dhe në momentin e ndërhyrjes së Policisë ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.  Këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 10 vite burgim për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. 51-vjeçari është autori i ngjarjes së ndodhur më datë 16.08.2014, tek isha Fusha e Aviacionit, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasin F. S”, bën me dije policia.

Si ndodhi ngjarja e 7 viteve më parë?

Autori dhe viktima ishin konfliktuar me njëri tjetrin për një gomë makine që Mzhika e kishte dërguar për ta riparuar në servisin e vëllezërve Selamni.  Mzhika e kishte vendosur gomën në aksin e pasmë të automjetit, e cila kishte plasur gjatë kthimin nga Gjiri i Lalëzit, ku ai po udhëtonte me familjen e tij.

Kjo ka revoltuar ish-agjentin e SHISH i cili ka shkuar te servisi për t’u kërkuar llogari dy vëllezërve Selmani.  Gjatë sherrit Mzhikës i ka rënë në tokë një çantë e zezë. Në momentin kur është larguar, ai është ulur për të kapur çantë nga ku nxjerrë një pistoletë me të cilën dyshohet se qëlloi në drejtim të Selmanit. Ky i fundit, eci për disa metra dhe më pas u rrëzua për shkak të gjakderdhjes. Viktima u dërgua menjëherë në spital por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.