“Mund të jetë një takim mes demokratëve, por jo Kuvend”, Tabaku flet për situatën brenda partisë: Ja çfarë më thonë qytetarët kur i takoj

103

Nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku ka dhënë një intervistë për Fax News, ku ka folur në lidhje me dy Kuvendet që janë thirrur të mbahen nga Berisha dhe Basha në muajin Dhjetor.

Tabaku tha se në 11 Dhjetor mund të ketë një takim mes demokratëve, apo mbështetësve të Berishës, por nuk mund të jetë një Kuvend, sa kohë që nuk janë respektuar përcaktimet statutore për mbledhjen dhe dorëzimin e firmave.

“Në 11 Dhjetor mund të ketë një takim të anëtarëve të PD-së, mbështetësve të PD, por kurrsesi një Kuvend. Kryetari i Këshillit Kombëtar ka pasur një diskutim të gjatë për këtë, ndjej keqardhje që kolegët nuk u përfshinë në debate për Kuvendin e datës 18.

Një pjesë e mirë e kolegëve nuk po flasin në lidhje me çështje të tjera të rëndësishme. Unë flas në emër të atyre demokratëve që unë takoj, që kërkojnë që kjo situatë të kalojë sa më shpejt, dhe të mblidhemi në një Kuvend që është ai i datës 18″, u shpreh Tabaku gjatë fjalës së saj.

Ndërkohë që lidhur me akuzat që i janë bërë nga kolegë mbështetës të Berishës, Tabaku nuk pranoi që të komentonte duke thënë se nuk do të merret kurrë personalisht me asnjë prej kundërshtarëve, dhe jo më me kolegët brenda partisë.

“Nuk kam diskutuar ndonjëherë kolegë, apo fjalë kolegësh, unë besoj që fjalët duhet të lëshohen me kujdes. Gjatë karrierës sime kam folur me fakte dhe me argumente, kjo është një situatë jo shumë e pëlqyeshme për njerëzit që janë në PD, dhe duhet të marrë fund sa më parë”, tha më tej Tabaku.