Anëtarë të Kryesisë së PD së Elbasanit, kanë mbërritur mesditën e sotme në selinë qëndrore të Partisë Demokratike në Tiranë. Ata kanë lexuar emrat e 272 delegatëve, që sipas anëtarëve të Kryesisë, kanë firmosur pro Kuvendit të 11 dhjetorit.
Firmat e këtyre delegatëve janë depozituar në zyrën e kryetarit të Këshillkit Kombëtar Edi Paloka.
Ky i fundit mban në zyrë një kasafortë ku janë depozituar të gjitha firmat e mbledhura gjatë foltoreve të Sali Berishës. Bledi Himçi, Sekretar i degës së PD në Elbasan, ka dalë nga selia blu dhe ka lexuar emrat e 272 delegatëve të Kuvendit Kombëtar, të cilët sipas tij kanë firmosur për Kuvendin e datës 11 dhjetor të kërkuar nga Sali Berisha.
Numri dy i PD, Sektretari Gazment Bardhi ka deklaruar se Suel Çela u ka bërë presion drejtuesve të partisë në Elbasan që këta të fundit të firmosnin pro Kuvendit të Berishës. Vetë ish-kryeministri i ka hedhur poshtë këtë zëra, duke i quajtur të pavërteta.
“Prej dy javësh hidhet baltë mbi procesin e hedhjes së firmave në Elbasan. Ka qenë një prej proceve më demokratike. Të gjitha kanë firmosur me bindje të plotë për të ndryshuar rrjedhën e Partisë Demokratike. 272 nga 409, 67% e delegatëve të Elbasanit do të jenë në Kuvendin e PD-së në datën 11 dhjetor”, tha Himçi.