Dyshohet për ngacmim seksual, Prokuroria kërkon shtatë vite burg për ish-policin

78

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me shtatë vite burg, të ish-efektivit të policisë Kol Kola, i cili u arrestua në muajin maj të këtij viti i dyshuar për ngacmim seksual të një vajze të mitur 13-vjeçare.

Konkluzionet janë dhënë nga prokurori Françesk Ganaj, i cili dha maksimumin e dënimit për veprat penale “Ngacmim seksual” dhe “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare”, por duke qene se i është pranuar gjykimi i shkartuar i ulet 1 e 3 e dënimit.

Referuar dosjes hetimore thuhet se është arritur të provohet se 62-vjeçari Kol Kola me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, “duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në makinë dhe e ka dërguar në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim, duke kryer veprime të turpshme me të”.

Por vetë i pandehuri i ka mohuar në vazhdimësi akuzat, duke e konsideruar ngjarjen si inskenim.

Tashmë do të jetë gjykata e cila do të vendosë për fatin e ish-policit Kol Kola i cili u arrestua, nga policia, pas denoncimit të bërë nga një 13-vjeçare e mitur e cila rrëfeu atë që i kishte ndodhur.

Pas verifikimeve përmes provave shkencore dhe pamjeve filmike u provua se ka element të veprës penale dhe prokuroria kërkoi menjëherë ndalimin e tij.

Kol Kola ka qenë pjesë e strukturave të policisë së shtetit prej shumë vitesh në disa zona të Qarkut të Lezhës.

Efektivi i policisë në Lezhë, Kol Kola është arrestuar pasi dyshohet se ka tentuar të përdhunojë një vajzë të mitur 13-vjeçe.

62-vjeçari më 29 prill ka ndaluar të miturën në rrugë dhe i ka thënë se do ta shoqëronte për në komisariat.

Ai dyshohet se e ka dërguar në banesën e tij dhe aty ka nisur ta ngacmojë seksualisht duke tentuar përdhunimin.

13-vjeçarja ka kundërshtuar veprimet e efektivit dhe ka arritur t’i shpëtojë nga duart 62-vjeçarit duke vrapuar e tmerruar për në banesën e saj.

Bashkë me prindërit, e mitura ka ngritur kallëzimin për Kolën, dhe më pas ky i fundit është arrestuar nga SHÇBA-ja.