U shpall fituese e Festivalit të 60-të/ Ish-përfaqësuesja e Shqipërisë në ‘Eurovizion 2014’ ironizon Ronela Hajatin: Kjo nuk është këngë

140

Pasi Ronela Hajati u shpall fituese e edicionit të 60-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar ka ardhur edhe reagimet e ndryshme ndaj këngës së saj që mbante titullin “Sekret”.

Kënga e Ronela Hajatit, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2022 në Itali është kritikuar edhe nga këngëtarja Hersi Matmuja. Kjo e fundit, e cila përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion 2014, ka ironizuar në Facebook, Ronela Hajatin për këngën e saj.

“Ku është kënga?”, ka pyetur ajo, ndërsa ka marrë komente të shumta nga miqtë e saj në Facebook. Ajo i është përgjigjur gjithashtu edhe një komentuesi, duke thënë se përpiqet ta kuptojë këngën “Sekret”, por që nuk e gjen kuptimin e saj.

“Jam dakort që ka këngë më të mira Ronela. Nuk më pëlqen të flas negativisht por të betohem që po mundohem me dëshirën e mirë për ta kuptuar por si mendim profesional kjo nuk është këngë. Nuk e kuptoj dot nga fillon e nga mbaron. Teksti nuk ekziston, janë fjale të futura aty pa sens. Por unë asaj si vajzë i uroj suksese, profesionalisht kam shumë rezerva”, ka shkruar Hersi.

Hersi Matmuja përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2014 në Danimarkë, me këngën “Zemërimi i një nate”, por pa arritur të kualifikohet në finale.